Rritja e çmimit të energjisë elektrike

08/08/2014 00:00

Shoqëria Civile në Kosovë kundërshton shtrenjtimin e energjisë elektrike nga kompania kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike.

Zyrtarë të lartë të KEDS-it zhvilluan të premten një takim me konsorciumin kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm. Sipas Visar Azemit, nga ky konsorcium, temë e diskutimit ishte gjendja e tanishme energjetike si dhe kërkesa e KEDS drejtuar zyrës së rregullatorit të energjisë elektrike për rritjen e çmimit të energjisë, si rezultat i rritjes së importit.

E gjithë kjo, siç e ka shpjeguar edhe KEDS-i në një komunikatë një ditë më herët, bëhet për shkak të aksidentit në termocentralit “Kosova A” në qershor, ku siç thuhet kompania është ballafaquar me mungesë të konsiderueshme të paparishikuar të prodhimit të energjisë elektrike. Por Shoqëria Civile akuzon kompaninë se po shfrytëzon një problem të momentit  për të prodhuar impakt të përhershëm sepse edhe pas rregullimit të termocentralit “Kosova A” çmimi i energjisë nuk do të ulet.
 
“Në rastin e dytë KEDS ka kërkuar një rritje prej 5%, kështu që rritja do të jetë e varur nga sasia e importuar për të normalizuar gjendjen në vend. Kjo rritje do të jetë më e theksuar gjatë muajve të dimrit kur kërkesa është më e lartë dhe sasia e importuar do të rritet”, tha Visar Azemi, konsorciumi kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Azemi kujton se një muaj më parë, çmimi i energjisë u shtrenjtua për afërsisht 5%, ndërsa një rritje shtesë, sidomos për muajt e dimrit, do të jetë e pa përballueshme për qytetarët e Kosovës. Sipas tij qytetarët nuk duhet të paguajnë për dështimet e palëve përgjegjëse, siç është aksidenti në termocentralin “Kosova A”.

“Problemet teknike ishin paralajmëruar edhe më përpara nga Komisioni Europian. Qeveria e Kosovës e ka neglizhuar totalisht këtë paralajmërim. Dështimi i institucioneve përgjegjëse nuk duhet në asnjë mënyrë t’i atribuohet qytetarëve, të cilët nuk duhet të paguajnë një çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike”, shtoi Azemi.
 
Në komunikatën e lëshuar një ditë më parë, KEDS-i ka njoftuar se ai dhe palët e interesit i janë përgjigjur krizës në mënyrë proaktive.

Thuhet se kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë është e  bazuar në skenarin më optimist për tejkalimin të krizës energjetike me supozimin se KEK-u do të kthejë njësitë gjenerues të termocentralit “Kosova A” në fund të dhjetorit të këtij viti.

Top Channel