Koorporata Energjitike e Kosovës ka njoftuar se ka nisur riparimet në Termocentralin “Kosova A”, ku më 6 Qershor ndodhi një avari, e cila nxori nga prodhimi tri blloqe të këtij termocentrali.

Në njoftimin e KEK-ut thuhet se në Termocentralin “Kosova A” tashmë është aktivizuar njësia A3, e cila është duke prodhuar pa ndonjë problem, ndërsa në dy njësitë e tjera A4 dhe A5 është finalizuar dhënia e kontratës për riparimin kapital të tyre.

Sipas kontratës për riparimin e blloqeve të dëmtuara, KEK njofton se për 4 muaj të gjitha njësitë e “Kosovës A” do të jenë të gatshme për prodhim optimal dhe të qëndrueshëm.

Në njoftim theksohet se kjo paraqet zgjidhjen më të shpejtë dhe më të lirë të mundshme, për dalje nga kriza e paralajmëruar energjitike.

“Pas tronditjes së pësuar më 6 Qershor, të përcjellë me humbjen e dy punëtorëve të devotshëm të Koorporatës, kemi arritur që të ndërmarrim të gjitha veprimet për kthimin në afat sa më të shpejtë të mundshëm, të prodhimit të qëndrueshëm sipas bilancit energjitik”, deklaroi Arben Gjukaj, drejtor menaxhues i KEK-ut.

Top Channel