Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur i brengosur me veprimet e disa individëve shqiptarë, që sipas tij po keqpërdorin liritë fetare dhe kanë tentuar të imponojnë predikime, që nuk i takojnë vlerave të vërteta kombëtare dhe civilizuese.

Përmes një shkrimi në Facebook, Thaçi ka thënë se Kosova kurrë nuk do të jetë “tokë pjellore” për radikalët apo ekstremistët, që tentojnë të ndryshojnë synimet e qarta euroatlantike të shoqërisë, shtetit të Kosovës dhe kombit shqiptar.

Urrejtja ndaj pakicave, tendenca që të importohen nga fenomene të huaja si anti-semitizmi apo radikalizmi fetar, sipas Thaçit, do të kundërshtohen me të gjitha kapacitetet e shtetit dhe të ligjit.

“Armiqtë e demokracisë dhe të vlerave civilizuese perëndimore nuk do të gjejnë strehë në tokën e atdheut tonë. Ky është premtimi im dhe besoj edhe i tërë lidershipit demokratik kosovar”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri në detyrë ka thënë se institucionet e Kosovës do të mbesin besnike ndaj respektimit të Kushtetutës dhe do të luftojnë çdo ditë dhe në çdo vend, çfarëdo forme të shfaqur të ekstremizmit.

Top Channel