“Zhvillimi, jo vetëm në kryeqytet”

06/08/2014 00:00

Përurimi i rrugës Bajram Curri – Markaj dhe perspektiva e zhvillimit të kësaj zone së bashku me impaktin që sjell reforma administrative ishin në fokus të takimeve që zhvilloi zv.Kryeministri Niko Peleshi në Tropojë.

“Reforma territoriale nuk është thjeshtë një tekë për të bërë një hartë tjetër, apo për të ndryshuar kufijtë. Shqipëria është një dhe që të zhvillohet duhet të zhvillohet në të gjithë pjesët e saj. Nuk do të zhvillohet vetëm në kryeqytet, nuk do të zhvillohet vetëm në bregdet.  Shqiptarët duhet të ndihen mirë e të jetojnë mirë edhe në Tropojë, edhe në Sarandë, edhe në Konispol dhe gjithandej. Por kjo nuk bëhet me një fjalë goje, dhe nuk bëhet as me ca rrugë.”, tha Peleshi.

Mungesa e politikave të zhvillimit dhe e vëmendjes së shtetit për të ndihmuar rritjen ekonomike të zonës ishte një nga ankesat kryesore të banorëve.

“Më shumë se sa për rrugën ne erdhëm për këto biseda që po flasim. Pra, ne na intereson të dimë se si janë potencialet e zhvillimit ekonomik të zonës, se si mund të mbështesim jo vetëm me infrastrukturë, por edhe me projekte të tjera. Më shumë se sa rruga duhet që ne të ulemi e të flasim për plane zhvillimi ku të futet bujqësia, ekonomia, të gjithë mundësitë e biznesit, turizmi që është shumë i rëndësishëm”, shtoi zv.Kryeministri.

Prefekti i Kukësi, Safet Gjici, i pranishëm në përurim i siguroi banorët se tashmë po punohet për ndërtimin e rrugës Kukës-Tropojë.

Mirëpo pas vizitës së zv. Kryeministrit Peleshi ka reaguara kryetari i Komunës Bujan i cilit tha se rruga e përuruar  ka qenë e ndërtuar më parë dhe se për vitin 20014 qeveria nuk ka dhënë asnjë financim edhe pse i janë paraqitur projekte.

 

Top Channel