Subjektet politike parlamentare, të cilat do të ballafaqojnë argumentet e tyre për seancën konstituive të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës më 21 gusht, kanë nisur të mbledhin materiale për të mbrojtur pretendimet e tyre.

Megjithëkëtë, Gjykata Kushtetuese nuk u ka bërë të ditur subjekteve për formën se si do të përfaqësohen në seancë, andaj në PDK, por as në subjektet tjera parlamentare nuk kanë vendosur se kush do t’i prezantojë qëndrimet në Kushtetuese në seancën dëgjimore.

Burime të Top Channel nga PDK kanë bërë të ditur se disa zyrtarë të lartë të partisë janë të angazhuar në mbledhjen e argumenteve kushtetuese ligjore për seancën gjyqësore, por ende nuk e dinë se kush do t’i prezantojë dhe mbrojë ato para Gjykatës.

Për të vendosur se kush do të përfaqësojë lëndën e PDK-së në Gjykatë është vendosur që të mblidhet Kryesia e partisë dhe të diskutojë dhe të marrë vendim.

Edhe subjektet tjera parlamentare, të cilat kundërshtojnë pretendimet e ngritura nga PDK në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e kryeparlamentarit, nuk kanë vendosur se kush do t’i prezantojë komentet shtesë në Kushtetuese.

Një zyrtar i lartë i LDK-së ka thënë me kusht anonimiteti se komentet e gjithë deputetëve që kundërshtojnë pretendimet e PDK-së do t’i paraqesë dhe mbrojë në Gjykatë një zyrtar i LDK-së pasi bëhet fjalë për pozitën e kryeparlamentarit, i cili është edhe lider i LDK-së.

Nga të dyja blloqet politike thonë se janë në pritje të përgjigjes së Gjykatës, të cilën e kanë pyetur për formën se si do të përfaqësohen subjektet në seancën dëgjimore.

Top Channel