Ambasadorja amerikane në Kosovë Tracey An Jacobson e vlerëson si shumë të rëndësishëm miratimin e ligjit i cili ndalon shqiptarët e Kosovarës të marrin pjesë në luftërat e huaja menjëherë pas funksionalizimit të punës së Kuvendit.

Jacobson të mërkurën mori pjesë në ceremoninë e  dhurimit të një donacioni prej afro 300 mijë dollarësh ku përfshihen pajisje për Policinë Kufitare dhe Doganave të Kosovës për operacione më efektive gjatë kontrolleve kufitare dhe dy makina për policinë.

“Përsa i përket luftës kundër terrorizmit shpresoj që sapo Kuvendi i ri të fillojë të funksionojë ai do të vendosë në rend dite ligjin për luftëtarët në konfliktet e huaja, i cili ka kaluar në leximin e parë nga Kuvendi paraprak.  Megjithatë ende nuk është funksionalizuar si ligj sfida dhe kërcënimi nga terrorizmi ekziston kudo dhe programi ynë për kontroll të eksporteve, për siguri kufitare ekziston në shumë vende të botës  për të shtuar mundësitë e luftës kunder terrorzimit. Ky program nuk është vetëm për Kosovën, por  është program që e kemi kudo në botë”, tha ambasadorja Jacobson.
 
Pajisjet e dhuruara përfshijnë sisteme me rreze X, dylbi me rreze të gjatë veprimi, pajisje për inspektim, komplete me fibra optike, pajisje për zbulimin e rrezatimit, dy automjete patrullimi 4×4 dhe pajisje për ndërhyrje.  

Delegacioni i ambasadës amerikane dhe autoritetet kosovare  vizituan Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit për të diskutuar po kështu rolin e kësaj Qendre në ruajtjen e sigurisë së Kosovës.

Top Channel