Abuzime edhe në universitetet publike

06/08/2014 00:00

Pas kontrollit të ushtruar nga inspektorët e Ministrisë së Arsimit, në të 59 insitucionet e arsimit të lartë, publike e private të vendit, ka rezultuar se të paktën 2/3 e tyre nuk plotësojnë standardin bazë, që lidhet me numrin, por edhe kualifikimin cilësor të stafit pedagogjik.

Veç universiteteve private, raporti saktëson gjendjen e rëndë edhe në shumë universitete publike. Mbi 70% e vendime të organeve kolegjiale janë miratuar, edhe pse kanë qenë në kundërshtim me rregulloren.

Ministria e Arsimit, përveç mbylljes së shumë filialeve në të gjitha universitetet publike, ka vendosur uljen e kuotave, mbylljen e programeve, si dhe ka kërkuar individualizimin e përgjegjësive për vendimet e marra në organet kolegjiale.

“Penalizimi për filialet publike që mbyllen është mosmarrja e kuotave të reja për vitin e parë. Sa i përket masës tjetër, e përsëris edhe njëherë që janë 5820 studentë, do të verifikohet çdo diplomë e këtyre studentëve që vijnë nga universitetet përkatëse, për të vërtetuar kreditet dhe vërtetësinë e të gjithë dokumentacioneve, që lidhen me diplomën e shkollës së mesme, apo vlerësime të tjera të marra ndër vite”, u shpreh ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Për çdo abuzim me ligjin do të merret masa për shkarkim, pezullim, deri në kallëzime penale dhe civile, për individët apo organet kolegjiale.

Por, cilat janë universitetet publike, ku do të mbyllen filialet? Në Universitetin e Tiranës do të ketë mbyllje të filialeve në Kukës dhe Sarandë, si dhe mbyllje të disa programeve dhe reduktim të kuotave. Në Universitetin e Mjekësisë janë mbyllur filialet në Kukës dhe Sarandë. Në Univeristetin Bujqësor janë mbyllur filialet në Lushnje dhe Gjirokastër.

Qendra Albanologjike do t’i nënshtrohet një reformimi tërësor, pasi janë vërejtur shkelje të mëdha, ndaj është vendosur jo vetëm pezullim i programeve të studimit. Universitetit të Durrësit, “Alekandër Moisiu”, i mbyllet filiali në Peshkopi dhe i ulet numri i programeve dhe kuotave.

Universitetit “Fan Noli” në Korçë i mbyllet filiali në Pogradec dhe ka reduktim të kuotave dhe programeve. Në Shkodër është propozuar mbylla e Akademisë së Arteve dhe në Universitetin e Elbasanit është kërkuar ulja e kuotave dhe mbyllja e disa programeve.

Një gropë e madhe e korrupsionit është dhënia e masterave dhe doktoraturave. Më shumë se 2/3 e doktoraturave në universitetet shtetërore janë dhënë duke shkelur rregulloren për pranimin e studentëve në bazë të kritereve.

Pjesë e degradimit të arsimit të lartë është edhe korrupsioni. Ndërsa në të ashtuquajturit universitete private, shitja e diplomës ka qenë një proces legal në shumë raste, në universitetet publike, veçanërisht në rrethe, notat kaluese kundrejt pagesës nën dorë janë shndërruar në normalitet.

Top Channel