Vjedhja, dëshmia e të arrestuarve

05/08/2014 00:00

“Aty nuk merrej vesh se çfarë bëhej, nuk kishte një rregullore se çfarë duhej të zbatonte njëri dhe çfarë përgjegjësie kishte tjetri. Jemi ende të shokuar. Nuk dimë asgjë, përgjegjësia është e eprorëve, e atyre që janë lart, jo e jona. Ne nuk kemi dyshuar për asnjë moment tek Ardian Bitraj, sepse ai nuk shoqërohej shumë me ne. Më tepër rrinte me Mimoza Bruzian”.

Kjo deklaratë është pjesë nga rrëfimet e Petrit Ramohitajt, me detyrë përgjegjës i Arkës në Veprim, dhe e Bashkim Xhilagës, ish-kontrollor mbikqyrës.

Të dy ata janë pyetur veç e veç në mesditë nga grupi i hetimit dhe të dy ata kanë fajësuar drejtuesit, se kishin lënë pa rregullore Departamentin e Emisionit, çka ka sjellë një punë në rrëmujë në departament, e ka shkaktuar edhe vjedhjen e 713 milionë lekëve.

Por, një burim i Top Channel tha se asnjëri nuk foli për persona konkretë, megjithëse prokurorët kanë tentuar të marrin më tepër të dhëna prej tyre. Gishti i akuzës është drejtuar në adresë të eprorëve, me argumentin se prej tre vitesh ata kishin lënë pa rregullore Degën e Thesarit, çka i bën prokurorët dyshues se, në të vërtetë, ky sektor mund të ketë funksionuar pa rregullore për një periudhë kohe.

Por, kjo hipotezë është e vështirë për t’u argumentuar me prova. Burime të Top Channel thonë se, gjatë javës do të pyeten edhe të arrestuarit e tjerë me ta. Gjithsesi, prokuroria pretendon se Xhilaga, sipas rregullores së Marsit 2014 të miratuar nga Këshilli Mbikqyrës, kishte për detyrë të kryente kontrolle periodike për gjendjen fizike të kartmonedhave në Arkën Stok, si dhe të mbikqyrte veprimet në Arkën në Veprim, te të cilat në vazhdimësi është kryer vjedhja 713 milionëshe.

Prokuroria dyshon se, duke mos ushtruar funksionet e tij, Xhilaga ka shkaktuar, ashtu si edhe kolegët e tij, vjedhjen e Departamentit të Emisionit. Nga ana tjetër, Petrit Ramihotaj – thotë prokuroria – duhet të zbatonte rregulloren për mbajtjen e çelësave në tre kopje dhe mbylljen e tyre në një kasafortë.

Nga kqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se Bitraj hap i vetëm kasafortën e Zyrës Tranzit, çka hedh dyshime se Ramohitaj nuk ka respektuar rregulloren, që i detyron tre punonjësit nën hetim; Ramohitaj, Liljana Tusha dhe Ardian Bitraj; që t’i mbyllnin çelësat në një pliko të veçantë, e cila duhej të vendosej në një kasafortë tjetër në modulin e menaxhimit të çelësave.

Top Channel