“Studentët, zgjedhja e parë në shtet”

05/08/2014 00:00

Pas heqjes së licencës për 18 institute të larta arsimore private, Ministria e Arsimit duhet të merret me shpërndarjen e 6 mijë studentëve të cilëve nuk do t’u mohohet e drejta për të vijuar arsimin e lartë.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e instituteve të arsimit të lartë tha se ekspertët po punojnë rast pas rasti për të gjithë këta studentë në bazë të rezultateve dhe meritës së tyre.

“Të gjithë studentët e atyre 18 institucioneve që nuk vijojnë të funksionojnë më si institucione të arsimit të lartë në vend, ne do u garantojmë shkollimin e tyre, së pari në institucionet e arsimit të lartë publik në rajonet nga ata vijnë. Ekipi ynë po vijon punën për hartimin e të gjithë modaliteteve dhe procedurave sesi ne do e trajtojmë qartësisht masën e 6 mijë studentëve që preken nga ky vendim”, tha Nikolla.

Por, a kanë kapacitete universitetet private dhe publike në vend edhe për këta studentë? Një shtim i numrit të studentëve përtej kritereve a mund t’i dëmtojë universitetet në procesin e akreditimit ku ata do të vlerësohen në bazë të cilësisë? Nëse universitetet pranojnë studentë mbi numrin e lejuar, ato rrezikojnë të ndëshkohen gjatë auditit për cilësinë.

Burime në Ministrinë e Arsimit sqarojnë se nuk do të ketë një mbipopullim të universiteteve dhe se shpërndarja do të analizohet për secilin rast edhe mbi bazën e notave të vetë studentit. Ministrja e Arsimit, në takimin që pati me përfaqësuesit e universiteteve të cilave iu është pezulluar aktiviteti tha se brenda një periudhe 2-vjeçare këto universitete mund të përmirësojnë të gjithë problemet e hasura nga grupet e inspektimit.

“Ligji parashikon një pezullim deri në dy vjet që do të thotë mosmarrjen e studentëve në vitin e parë, por varet nga ju marrja e masave dhe intensiteti i punës për ta shkurtuar kohën e pezullimit. Gjithçka është në varësi të punës suaj. Siguroj të gjithë ata studentë që kanë mbaruar studimet në këto institucione që garantojmë atë që ligji njeh si parimin e sigurisë juridike që çdo vendimmarrje nuk ka aftësi prapavepruese.

Në institutet private të pezulluara nuk do të ketë marrje të studentëve të rinj këtë vit akademik, por studentët e viteve pasardhëse do të mund të vijojnë normalisht studimin.

Top Channel