Regjistrimi i IMEI-t të celularëve

05/08/2014 00:00

Partia Demokratike i është rikthyer kundërshtimit të vendimit të qeverisë për të regjistruar numrin identifikues të aparateve celularë, të njohur shkurtimisht si IMEI.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një dalje për mediat e cilësoi këtë vendim si anti-kushtetues dhe përpjekje e kryeministri Rama për të hyrë brutalisht në jetën dhe privatësinë e shqiptarëve.

“Në këtë mënyrë Rama kërkon të hyjë brutalisht në jetën dhe privatësinë e shqiptarëve, të kontrollojë jetën e tyre, të ngrejë një regjistër me të dhënat konfidenciale të shqiptarëve duke vrarë privatësinë e garantuar me ligj për shqiptarët. Edi Rama pasi ka kapur disa institucione të pavarura, pasi ka hedhur rrjetën për të kapur drejtësinë, pasi ka ngritur byronë e hetimit pranë tij, kërkon të hyjë edhe në jetën e shqiptarëve”, tha Basha.

Ky vendim i qeverisë është ankimuar nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese dhe në pritje të vendimit të saj Lulzim Basha fton qytetarët që të reagojnë me mosbindje.

“Shqiptarët të reagojnë me mosbindje, të refuzojnë me përbuzje, të mos dorëzojnë të dhënat personale, të qendrojnë dhe të mos i dorëzojnë të dhënat e tyre”, deklaroi kreu i demokratëve.

Një apel shkoi edhe për operatorët e shërbimit të telefonisë celulare.

“Kompanitë të respektojnë Kushteutën e Republikës së Shqipërisë dhe të mos i dorëzojnë Edi Ramës të dhënat e qytetarëve. Në të kundërt ato do të përballen me padi nga Partia Demokratike dhe qytetarët”, përfundoi Basha.

IMEI (International Mobile Equipment Identity) shërben në rrjetin GSM për të identifikuar një pajisje celulare dhe në të shumtën e herëve për të ndaluar vjedhjen e këtyre pajisjeve, pasi nëpërmjet këtij numri, zotëruesi mund të raportojë si të vjedhur e më pas bllokojë tek kompania që i ofron shërbimin telefonik.

Harito: Nuk përgjohet përmes IMEI-t
“Basha gënjen, nuk cënohet privatësia e asnjë qytetari

Pas akuzave të Partisë Demokratike ka mbërritur reagimi nga ana e qeverisë nëpërmjet Ministres së Inovacionit, Milena Harito.

Harito hodhi poshtë pretendimet e opozitës për ndërhyrje tek të dhënat personale të qytetarëve.

“Qeveria nuk ka asnjë punë me të dhënat personale të qytetarë, por ama qeveria ka për detyrë të luftojë kontrabandën. IMEI nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen e komunikimit. Është vetëm një kod makinerie. Është njësoj si të thuash që me numrin e shasisë qeveria do kontrollojë se cili është shoferi. Këto janë llafe boshe dhe për llafe boshe Lulzim Basha është i pashoq”, deklaroi Harito.  

Top Channel