Prezantohet projekti i shëtitores së Vlorës

05/08/2014 00:00

Pak muaj pasi u shpall fituese e projektit për shëtitoren bregdetare të Vlorës, studioja belge ka dorëzuar projektin e finalizuar të fazës së parë të ndërtimit, që nis nga Porti i qytetit deri te tuneli.

Themeluesi i studios belge bëri një shpjegim të detajuar të segmentit të parë, që është edhe më i kapshëm dhe me i frekuentuar nga publiku.

Kjo e bën shëtitoren të dallueshme gjatë gjithë kohës, zgjidh çështjen e trafikut nëpërmjet një bypass-i, siguron transport publik, parking, si dhe ajo që konsiderohet shumë e rëndësishme, ruan gjelbërimin dhe njëtrajtshmërinë e shëtitores.

“Ky projekt, i cili do të futet në fazën e zbatimit në vjeshtë është një premtim i mbajtur në kohë rekord si dëshmi e kësaj qeverie për të punuar me shumë përkushtim në një proces, tashmë të pandalshëm, për rigjenerimin dhe rigjallërimin e zonave urbane dhe rurale që ofrojnë potenciale turistike të jashtëzakonshme”, tha Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Për Kryeministrin Edi Rama ky projekt për ndërtimin e shëtitores në Vlorë nuk është thjesht një premtim i mbajtur, por tregon një vizion të qeverisë së tij për të ndërtuar kështu në të gjithë bregdetin e Shqipërisë. Dhe për këtë Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit po punon për gjetjen e  fondeve.

“Për të bërë të mundur, qoftë nëpërmjet financimeve të brendshme apo të huaja, ne të sigurojmë që në harkun e tre viteve të ardhshme faza e re e transformimit që fillon në Vlorë të preki të gjithë vijën bregdetare të vendit dhe të fillojë të shtrihet edhe brenda këtyre 3 bashkive të mëdha”, u shpreh Kryeministri Rama.

Sipas Kryeministrit, ajo që i jep më shumë rëndësi këtij projekti për zhvillimin e turizmit shqiptar është ndarja e re territoriale, që bën shumë të fuqishme tre bashkitë e bregdetit, Vlorën, Himarën dhe Sarandën, të cilat tani do të zhvillohen njëtrajtshmërisht në zonën e bregdetit dhe më në thellësi.

“Hapja e këtij sipari me vijën bregdetare të Vlorës shoqërohet me zhvillime të reja dhe intensive gjatë gjithë territoreve të këtyre 3 bashkive, të cilat tashmë janë shumë të rëndësishme si nga potencialet, por edhe nga përgjegjësia në të gjithë vijën e Jonit”, shtoi Kryeministri.

Ndërtimi i shëtitores bregdetare në Vlorë do të nisë në nëntor, kohe kur studio belge pritet të dorëzojë edhe projektin e fazës tjetër nga Porti i Vlorës te Pylli i Sodës.

Top Channel