Liderët e bllokut “LDK-AAK-Nisma” shprehën shqetësimin për krizën institucionale dhe atë buxhetore, në të cilën po futet Kosova, si pasojë e mosformimit të qeverise së re.

Ata konsiderojnë se, kjo periudhë po keqpërdoret nga kryeministri në largim, Hashim Thaçi, për të marrë vendime joligjore.

Për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi tashmë është vetëm deputet i Kuvendit të Kosovës. Këto komente u bënë pas një takimi mes liderëve dhe anëtarëve të tri subjekteve politike, në zyrën e grupit parlamentar të LDK-së.

“Imagjinoni, deputeti Thaçi merr vendime në qeveri, shumica e të cilave janë traditë apo vazhdim i praktikave edhe korruptive, e jo vendime që ndihmojnë jetën e qytetarëve të vendit. Situata buxhetore është rënduar dhe ka shumë tregues për këtë, ndaj duhet t’i reflektojmë të gjitha këto realitete të brendshme tonat, në mënyrë që në planifikimin e ardhshëm të marrim parasysh edhe dëmet e reja të shkaktuara”, u shpreh Ramush Haradinaj, kreu i AAK.

“Ne i bëjmë apel të gjithë administratës shtetërore, t’i kryejë detyrat dhe obligimet e veta ligjore dhe kushtetuese që ka, të ruajë funksionalitetin e shtetit dhe t’u shërbejë qytetarëve, të cilët kanë nevoja të përditshme, sepse ne të gjithë kemi nevoja të përditshme për funksionimin e shtetit, deri sa kjo gjëndje të marrë rrugën e duhur pas vendimit të gjykatës”, vijoi më tej Fatmir Limaj, lider i “Nisma për Kosovën”.

Duke komentuar mbi vlerësimet e disa ekspertëve, se koalicioni ka gabuar me komentet e shumta dhe kërkesën për seancë dëgjimore, kreu i LDK-së Isa Mustafa tha se ka qenë Partia Demokratike, e cila ka kërkuar pezullimin e vendimit të Kuvendit, që pasoi boshllëkun institucional.

E rëndësishme, sipas bllokut, është që pas vendimit të mos humbasin më shumë kohë.

“Ne nuk kemi kërkuar as pezullimin e deputetëve, as të pozitës së kryetarit të Kuvendit. Këtë e ka kërkuar Partia Demokratike, sepse ka dëshiruar që të krijojë një krizë institucionale dhe një boshllëk të tillë, por ne kemi treguar gatishmërinë tonë për të ofruar argumentet tona, gjë që do ta bëjmë në seancën dëgjimore, pasi ato pasqyrojnë vullnetin politik të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Isa Mustafa, lider i LDK-së dhe i zgjedhuri i ri në krye të Kuvendit të Kosovës nga blloku i koalicionit paszgjedhor.

Sa i takon raportit me Lëvizjen Vetëvendosje, u tha se takime zyrtare nuk ka pasur, por komunikimi vazhdon. Burime brenda këtij takimi thanë se, temë diskutimi ka qenë edhe përfaqësimi i subjekteve në seancën dëgjimore të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Mustafa: Koha s’po ecën në favor të qeverisë Thaçi

“Koha që po kalon nuk do të çojë ujë në mullirin e qeverisë Thaçi, por do ta vërshojë këtë qeveri me gjithë përbërjen e saj të tanishme antikushtetuese, asambleiste-ekzekutive”.

Kështu ka shkruar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një postim në profilin e tij në Facebook, të martën pasdite. Duke komentuar gjendjen aktuale, në veçanti vendimet që po merr qeveria në largim e kryeministrit Thaçi, Mustafa tha se vendimet politike për Kosovën i marrin deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Ata treguan qartë, më 17 Korrik, përcaktimin e tyre. Ky do të jetë përcaktimi edhe për qeverinë e ardhshme të Kosovës. Falltarët e koalicionit të PDK mund të flasin për çfarëdo votash, por blloku shumicë LDK-AAK-Nisma tregoi se ka mbështetjen e 83 deputetëve dhe se mori besimin e shumicës së deputetëve. Ata që nuk e kanë të qartë, duhet të vetëdijësohen se shumica është rregull i demokracisë”, shkruan Mustafa në Facebook.

Sipas tij, asnjë kërcënim mbi brishtësinë e sigurisë, nëse PDK nuk është në pushtet, dhe mbi “paprekshmërinë ligjore të fituesit”, nuk e lëviz konsistencën dhe besimin e këtij blloku shumicë.

“Nuk ka fitues me 30% të votave dhe me 37 deputetë nga 120 në total në Kuvendin e Kosovës. Fituesi është ai që merr votat dhe përkrahjen e shumicës së deputetëve, të cilët në mënyrë gjithëpërfshirëse përcaktojnë shumicën e votave të fituara nga qytetarët, pra mbi 50%”, përfundon deklarata e kreut të LDK-së.

Top Channel