Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shmangu përgjigje për akuzat që i ka adresuar deputeti socialist Tom Doshi. Tahiri u pyet nga mediat pas një vizite në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës.

“Nuk kam asnjë koment. Unë jam shumë i vendosur të bëj punën time dhe të vazhdoj luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Tahiri.

Ministri pas vizitës inspektuese në qarkun verior deklaroi se në Shkodër janë shkatërruar më shumë se 46 mijë rrënjë kanabis sativa.

“Erdha në Shkodër jo vetëm për të vlerësuar rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe për t’i nxitur që këto rezultate t’i konsiderojnë një pikënisje për rezultate më të mëdha në vijim. Kemi thjeshtuar në maksimum procedurat për turistët që vijnë në Shqipëri, duke garantuar kufij të hapur por të sigurt për turistët”, deklaroi ai.

Ministrin e Brendshëm në Shkodër e shoqëronte edhe përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Tiranë Clive Rumbold, i cili u shpreh se Shqiperia po hedh hapa para në axhendën e integrimit europian, sidomos në dy prioritetet kyçe, atë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Top Channel