Thesari i shtetit, “zonë krimi”

04/08/2014 00:00

Ndryshe nga ditët e tjera, në Degën e Thesarit të Bankes së Shtetit, në periferi të kryeqytetit, është parë prezenca e policisë, e cila jo zyrtatrisht mësohet se është kërkuar nga organi i hetimit, për të qenë prezente e për të marrë nën ruajtje objektin.

Gjatë orëve të paradites, efektivët e policisë nuk kanë lejuar asnjë nga mjetet e blinduara të shoqërive të ruajtjes e sigurisë fizike të bankave private të nivelit të dytë, të cilat në ditë normale hyjnë në këto ambiente për të transportuar shuma të konsiderueshme parash.

Në Degën e Thesarit, që njihet si Departamenti i Emisionit të kartmonedhave, kanë hyrë vetëm zyrtarë të saj, dhe ekspertë të kqyrjes së vendit të ngjarjes. Jo zyrtarisht deklarohet se gjatë gjithë ditës, grupi i hetimit ka zbarkuar në Degën e Thesarit për veprime të tjera hetimore, sikurse janë verifikimet në terren të nëpunësve të tjerë dhe të gjithë procedurës së hyrje-daljeve të parave.

Po në rrugë jo zyrtare, deklarohet se në departamentin, ku ka ndodhur skandali i vjedhjes së 713 milionë lekëve, për momentin puna është e bllokuar, jo vetëm për shkak të veprimeve hetimore që po kryhen, por edhe për shkak të pezullimit nga detyra të disa nëpunësve të tjerë e zëvendësimit të tyre me grupe të tjera të komanduara.

E ndërsa prokuroria ka përfshirë në hetimin pasuror, jo vetëm nëntë të arrestuarit për supervjedhjen e Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet kësaj deklarate për mediat, ILKDPI njofton se ka nisur hetimin administrativ të të gjtiha deklaratave të pasurisë, që prej vitit 2003, që nga guvernatori Ardian Fullani dhe zv/guvernatori, deri tek anëtarët e Këshillit Mbikqyrës dhe të të gjithë drejtuesve të tjerë të Bankës së Shqipërisë.

Mbledhja e të dhënave do të shtrihet, thotë ILDKPI, edhe te familjarët e tyre, bashkëshortët dhe fëmijët, si edhe personat e lidhur me ta.

Top Channel