“Sëpatë” mbi universitetet private

04/08/2014 00:00

Ministria e Arsimit ka hapur kutinë e Pandorës. Në kutitë që i përkasin 59 insitucioneve të arsimit të lartë e që nuk i janë nënshtruar asnjëherë kontrollit ligjor gjatë këtyre 24 vitesh, janë vërejtur abuzime të mëdha të cilat kanë fabrikuar qindra milionë euro për një grup të caktuar personash.

Ministria e Arsimit do të mbyllë 17 shkolla të larta private dhe 6 filiale të universiteve publike dhe do të çojë para dyerve të gjykatës çdo individ që ka shkelur ligjin e arsimit të lartë.

Raporti i parë i ekspertëve të arsimit të lartë që kanë vërejtur nëse 59 institutet e arsimit të lartë operonin brenda kuadrit ligjor ka nxjerrë në të paktën 70.5% e tyre nuk plotësojnë kriteret ligjore. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se në shumë institute të larta
nuk ka regjistra të studentëve që janë shkolluar e diplomuar aty të
cilat zyrtarisht rezultojnë të djegur apo të humbur.

“Nuk mund të lejojmë që kaq shumë institucione kanë probleme me kriteret ligjore. Ky është vetëm fillimi”, tha ministrja Lindita Nikolla.

Juristi Plarent Ndresa tha se në bazë të shkeljeve ligjore është
propozuar mbyllje e licencave për 17 institucione dhe pezullim për
dhjetëra të tjerë: “Do i propozohet Këshillit të Ministrave heqja e licencës së Akademisë së Studimeve të Aplikuara Durrës, Akademia Pedagogjike Tiranë, Shkolla e Lartë “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”, Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës, Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës, Kolegji Profesional i Sporteve Fier, Shkolla e Lartë Iliria, Kolegji Profesional Argent Shkodër, Kolegji Profesional Privat Medikom, Institucioni i Arsimit të Lartë Elite, Universiteti Planetar i Tiranës, Justiniani i Parë, Medikadent, Universiteti “Kristal”, Universiteti “Vitrina”, Institucioni i Arsimit të Lartë “Gjon Buzuku” Shkodër dhe Akademia e Ndërtimit Tiranë.”

Kryeministri Edi Rama tha se vetëm ky testim ligjor ka nxjerrë në sipërfaqe llumin korruptiv ku operonin dhjetëra institucione arsimore të larta të kundraligjshme: “Në kaq pak vite janë gjeneruar 32 mijë diploma nga universitetet private. Kemi dhënë 900 diploma për të huaj kur nuk japim asnjë leksion në gjuhë të huaj. Kemi dhënë diploma në natyrë për shërbime të ndryshme si lyerje, shplarje, punime hidraulike, zdrukthtarie që janë shkëmbyer jo me para’, por me diploma nga pronarët e universiteteve. Ka studentë që e kanë paguar studimin me lopë, dele, oriz dhe dru zjarri. Kemi regjistra themeltarë universitetesh ku shkruhet “10 diploma i ka tërhequr shefi”.”

Biznesi me diplomat në shkollat e larta të cilat vepronin  në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme jo vetëm do të mbyllet, por do të procedohet edhe ligjërisht për të gjithë ata individë të cilët kanë shkelur ligjin.

Mbyllja e universiteteve private, reagon PD
PD: Mijëra studentë më pak në shkolla, qeveria vetëm mashtrime për arsimin

Pas këtij vendimi të Ministrisë së Arsimit ka reaguar opozita, e cila akuzoi qeverinë se ndryshe nga çfarë pretendon, arsimin nuk e ka prioritet dhe se nuk ka investuar asgjë për të përmirësuar cilësinë e shkollës.

Madje, me mbylljen e disa shkollave private lë edhe mijëra studentë jashtë auditorëve.

“Ndryshe nga premtimet, nuk po përmirëson kushtet, nuk po ul tarifat e studimit, nuk po pranon më shumë studentë, nuk po e çon në 5% buxhetin për arsimin, nuk po rrit financimin për ekselencën dhe nuk po bën asnjë investim për të përmirësuar infrastrukturën mësimore. Pas një viti, arsimi është në udhëkryq”, tha Ervin Salianji, koordinatori për ndihmë ligjore në PD.

Top Channel