Prokuroria, KLD-së: Kontroll gjykatësve

04/08/2014 00:00

Kur bëhet fjalë për gjyqtarët dhe vendimet e tyre, as ditët e nxehta të Gushtit nuk i stepin institucionet, që të lozin ping-pong me njëra-tjetrën.

Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme i kërkon KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë të verifikojnë vendimet e pesë gjyqtarëve, që kanë pas sjellë arratisjen e dy të kërkuarve ndërkombëtarisht, Ministria dhe KLD përgjigjen me deklarata duke falënderuar organin e akuzës, por secila prej tyre largon përgjegjësinë nga vetja.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë shprehet se, për shkak të mos dublimit, rastet duhet t’i verifikojë Ministria e Drejtësisë, por Ministria inkurajon se do nisë veprime konkrete për këto raste, vetëm kur të përfundojë gjykimi edhe në Gjykatën e Lartë.

Prokuroria e Përgjithshme renditi raste që, jo vetëm nga media, por dhe nga vetë strukturat e drejtësisë janë konsideruar si skandaloze.

“Së pari, vendimin e trupit gjykues të Gjykatës së Apelit Vlorë, datë 20 Shkurt 2014, i përbërë nga kryesues Alma Liçaj dhe anëtarë Skënder Damini dhe Gjinovefa Gaba, në caktimin e masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për shtetasin Vangjel Zijaj, me emrin e vërtetë Arben Gropa, për efekt të shqyrtimit të kërkesës për ekstradim. Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim është tërësisht i pabazuar në ligj dhe në prova”, shprehet Fiorida Ballauri, shefe e kabinetit.

Por, për këtë rast, në një reagim të menjëhershëm, KLD thotë se tre gjyqtarët në fjalë janë inspektuar nga Ministria e Drejtësisë në Mars 2004, e për pasojë ankesa e Prokurorisë së Përgjithshme do t’i përcillet Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim shmangien e dublimit.

“Së dyti, vendimin datë 15 Korrik 2014, të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Igerta Hysi, e cila ka vendosur shuarjen e masë së sigurisë ‘arrest me burg’ për efekt ekstradimi, për shtetasin Arben Isufaj, duke vendosur ndaj tij masën ‘arrest në shtëpi’”, shprehet Fiorida Ballauri, shefe e kabinetit.

Edhe për këtë dosje, KLD kujton se prokurori i Përgjithshëm është ankuar në fund të Korrikut për mënyrën se si u lirua Arben Qimja, e pas shqyrtimit paraprak është konkluduar se gjyqtarja Igerta Hysi duhet të verifikohet për mos respektim formal të ligjit dhe, për shkaqe dublimi, kërkesa sërish i përcillet Ministrisë për verifikim.

“Së treti, vendimin datë 16 Korrik 2014, të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Laurent Fuçia, i cili ka vendosur shuarjen e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ për qëllime ekstradimi, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm për shtetasin Erjon Sadikaj. Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim është tërësisht i pabazuar në ligj dhe në prova. Ky shtetas, aktualisht, i është shmangur drejtësisë dhe nuk gjendet”, tha Fiorida Ballauri, shefe e kabinetit.

Sikurse dy të parat, edhe për kërkesën e tretë, KLD e lë topin në fushën e Ministrisë së Drejtësisë, e cila, nga ana e saj, e hedh në Gjykatën e Lartë. Në reagimin e saj, Ministria deklaron se e përgëzon Prokurorinë e Përgjithshme për interesin e treguar, por thuhet më tej përveç se është ndjekur në vazhdimësi ecuria e rasteve të përmendura, iniciativat e nevojshme do të ndërmerren pas përfundimit të gjykimit të tyre në gjykatat më të larta. Që do të thotë, deri sa Gjykata e Lartë të shprehet për vendimet e masave të sigurisë, të pesë gjyqtarët, për të cilët ankohet prokurori i Përgjithshëm, mund t’i shijojnë pushimet të qetë, ashtu sikurse dy nga të arratisurit.

Top Channel