Vendimet e marra pas zgjedhjeve të 8 qershorit nga qeveria aktuale e Kosovës, mund të rishikohen, madje edhe të anulohen në tërësi.

Koalicioni pas zgjedhor, LDK-AAK-NISMA, i cili synon formimin e qeverisë së re ka paralajmëruar se do t’i rishikojë të gjitha punësimet dhe vendimet e marra nga qeveria në largim.

Analistë politikë dhe ekspertë ligjorë e kushtetues vlerësojnë se në aspektin legal qeveria ka të drejtë marrë vendime pasi ajo është fuqiplotë, por nuk mund të marrë ndonjë vendim me peshë të madhe politike, pasi politikisht mund edhe të permbyset nga qeveria e re.

Ligjëruesi i lëndëve juridike në Universitetin e Prishtinës, Florent Muqaj thotë se as Kushtetuta por asnjë ligj nuk e parasheh kufizimin e vendimeve të ndonjë qeverie përderisa ajo është në detyrë.

“Praktikisht nuk mund të ketë kufizime apo nuk mund të flasim për kufizime të kompetenca së pari kushtetuese të qeverisë, pastaj ligjore, në kuptimin e marrjes së vendimeve. Për arsye se kjo është qeveri e cila nga Parlamenti ku deputetët e kanë dhënë betimin është gjetur në detyrë dhe kjo qeveri duhet të vazhdojë derisa të votohet qeveria e re. Andaj duke qenë se është gjetur në detyrë kjo është në funksion të plotë”, thotë  Florent Muqaj, jurist.

Muqaj ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila pati trajtuar kompetencat e ushtruesit të detyrës së presidentit e që sipas vendimit të Gjykatës, ushtruesi i detyrës së presidentit ka kompetenca të njëjta me ato që i ka presidenti.

Ligjshmëria e vendimeve të Qeverisë në largim do të ishte e kontestueshme sipas Muqajt, në rast se para zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë do të rrëzohej qeveria e jo të shpërndahej Parlamenti.

Ndersa analisti Halil Matoshi vlerëson se Qeveria duhet t’i përmbushë detyrimet ditore që që ka, por jo të marr ndonjë vendim që mund t’i kontestohet pastaj.

“Në aspektin politik thuhet se nuk mund të merr një qeveri në tranzicionin apo në shkuarje vendime të mëdha derisa të krijohen institucionet e reja  për hirrë se ato mund ti kontestohen politikisht. Ndërsa në aspektin legal ajo duhet ti përmbushë detyrat e ditës, duhet domethënë të funksionojësepse është qeveri në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re”, thotë Matoshi.

Sipas Matoshit, nga vendimet që po merr Qeveria atuale, sidomos në punësimin e njerëzve, të vetmit që mund të pësojnë janë qytetarët të cilët presin të futen në punë.

Top Channel