Organet greke të drejtësisë kanë deklaruar përfundimin e procedurës disamujore për hetimin e aktivitetit të paligjshëm të Agimit të Artë dhe dosja penale shkon tashmë në duart e prokurorit Isidoros Dojaku, i cili, nga ana e tij, do artikulojë propozimin për dërgimin apo jo në gjyq të 78 të pandehurve, që përmban kjo dosje.

Mbetet që Këshilli i Apelit të thotë fjalën e fundit, për trajtimin e mëtejshëm penal të të implikuarve dhe, menjëherë më pas, do të përcaktohet gjykimi i çështjes, që mendohet se do të fillojë në fund të këtij viti, ndërsa nuk sqarohet se ku do të zhvillohet procesi gjyqësor.

Vlerësohet se do të duhet një sallë e posaçme, për shkak të numrit të të pandehurve, avokatëve, dëshmitarëve, si dhe nevojave të tjera specifike, që do të ketë pala akuzuese, për shfaqjen me projektorë të dhjetra fotografive dhe videove, që përfshihen në dosjen e çështjes.

Procesi kundër AA ka filluar menjëherë pas vrasjes së aktivistit të majtë, këngëtarit Pavlos Fyssas, Shtatorin e kaluar, nga Jorgos Rupakias, një anëtar aktiv i kësaj force politike, i cili ndodhet në paraburgim dhe ka pranuar aktin e vrasjes.

Nga 78 të akuzuarit në këtë çështje, 30 prej tyre ndodhen në paraburgim. Gjithashtu, të arrestuar janë 9 nga gjithsej 18 deputetë të kësaj force në Parlamentin grek, midis tyre dhe lideri Nikos Mihaloliakos, ndërsa edhe 9 të tjerët, që janë ende të lirë, shumica e tyre ndodhen në arrest shtëpie, ose në lirim me kusht, pasi përballen me akuzat për pjesëmarrje dhe drejtim të një organizate kriminale.

Top Channel