Pas shkarkimit të drejtorit të Sigurimit dhe atij të Emisionit, mbi skandalin e vjedhjes së shumës prej 713 mln lekë në Bankën e Shtetit, në këto pozicione janë emëruar dy drejtorë të rinj.

Përmes një deklarate në faqen e saj zyrtare, Banka e Shqipërisë njofton se Ilir Mollaymeri ka zëvendësuar Eduard Sinanin, në postin e drejtorit të Departamentit të Sigurimit dhe të Mbikqyrjes.

Në këtë departament janë zëvendësuar, po ashtu, dy operatorë monitorues, për të cilët është konstatuar se kanë shkelur rëndë detyrimet rregullative për ruajtjen dhe mirëadministrimin e vlerave monetare dhe materiale.

Ndërsa, në pozicionin e drejtorit të Departamentit të Emisionit, Dorian Çollaku është zëvendësuar nga Stefan Sevo, i cili është drejtues me përvojë në Bankën e Shqipërisë, thuhet në deklaratë.

Përgjegjësi i Arkës për Veprim, Arkës Stok dhe të gjithë punonjësit e tjerë të këtyre njësive, të cilët kishin në ngarkim vlerat monetare, si dhe kontrollori mbikqyrës janë larguar nga puna në datën 31 Korrik 2014 dhe pozicionet e tyre të punës sot mbahen nga punonjës të tjerë.

Banka Qendrore thotë se, ndërkohë, puna në sektorin e Thesarit po vijon normalisht.

“Pas zëvendësimeve të kryera në gjithë zinxhirin drejtues në Departamentin e Emisionit, në këtë departament ka vazhduar normalisht veprimtaria për furnizimin me sasinë e nevojshme të parasë fizike në tregun ndërbankar dhe lehtësimin e shërbimeve nëpër sportele bankare”, thuhet më tej në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Top Channel