Vdekja që vjen nga “vjedhja e rrugëve”

03/08/2014 00:00

Thuajse në të gjitha akset rrugore në vend, sinjalistika vidhet sistematikisht, ndërsa mbajtëset anësore dëmtohen nga aksidentet apo dhe vetë banorët, të cilët më pas i shesin për skrap.

Kjo gjendje e rrugëve është shndërruar shpesh në burim aksidentesh, që në jo pak raste kanë marrë jetë njerëzish. Kreu i Autoritetit Rrugor Shtetëror, Dashamir Gjika, thotë se, ndonëse sinjalistika rrugore është rritur me rreth 40%, ajo sërish vijon të vidhet.

“Shqetësimi më i madh është ai i vjedhjes, që i bëhet sinjalistikës rrugore, qoftë nga banorët, por edhe dëmtimet që vijnë si pasojë e aksidenteve. Ka marrëveshje bashkëpunimi me policinë për të gjitha akset tona rrugore, janë bërë denoncime që i kanë kaluar autoriteteve kompetente. Mund t’iu jap një shifër, rreth 30 të tilla vetëm gjatë këtij viti”, shprehet Dashamir Gjika, drejtori i Autoritetit Rrugor Shtetëror.

Zoti Gjika thotë se do të ndërhyhet në kodin rrugor, që ndëshkimet për dëmtuesit e elementëve të sigurisë së rrugës të jenë shumë herë më të larta. Ndërsa sa u përket dëmtimeve për shkak të aksidenteve rrugore, po negociohet me kompanitë e sigurimeve, që ato të paguajnë një përqindje në vit nga shuma e mbledhur, përmes sigurimeve që paguajnë pronarët e automjeteve.

Sipas kreut të Autoritetit Rrugor Shtetëror, ndërhyrje të tilla janë të domosdoshme, edhe sepse fondi për mirëmbajtjen e rrugëve është 8 herë më i ulët, se nevoja reale që kanë akset në vend.

“Fondi për mirëmbajten e 3700 km rrugë, që ka Autoriteti Rrugor shqiptar, është 1,3 mld lekë, që normalisht është një fond jo i mirë, pasi nuk realizon të gjitha nevojat. Nevoja reale do të ishte 8 herë më e lartë”, tha Dashamir Gjika.

Top Channel