Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj qeverisë dhe veçanërisht kryeministrit Rama, në lidhje me dhunën e ushtruar nga deputeti Arben Ndoka dhe të zgjedhur të tjerë të shumicës.

Sipas PD, heshtja e kryeministrit tregon inkriminimin e tij dhe të Parlamentit, si dhe nxjerr qartazi në sytë e publikut mënyrën se si funksionon qeverisja aktuale.

“Prej 24 ditësh, Edi Rama i ikën përgjegjësisë për inkriminimin e Parlamentit dhe pasojave që sjell ky veprim në jetën e përditshme të shqiptarëve. Edhe pse pritej që Rama të mbante qendrimin e tij e të reagonte pas publikimit të provave dhe dosjes së deputetit Arben Ndoka, për të cilin ka firmosur vet ai që të hyjë në Kuvendin e Shqipërisë, ka plot 24 ditë që Rama, jo vetëm nuk reagon, por thellon kapjen e shtetit në çdo zyrë dhe çdo hapësirë. Sa më shumë ditë kalojnë, heshtja e Edi Ramës tregon përfshirjen në faj të tij për inkriminimin e Kuvendit”, u shpreh koordinatorja e PD për media, Silvi Bardhi.

Ndërkohë, në një tjetër deklaratë për shtyp, PD, përmes zëdhënëses Laura Vorpsi, ka akuzuar ministrin e Punës, Erjon Veliaj, si përgjegjës për vdekjen e tre punëtorëve në Hidrocentralin e Qafë Mollës.

Sipas Vorpsit, ministri ka detyrim të kontrollojë plotësimin e kushteve të sigurimit teknik në punë, çka, jo vetëm nuk e ka bërë, por sipas opozitës nuk ka gjetur as kohën për një deklaratë të thjeshtë, lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Top Channel