Rrethi i Librazhdit i është rikthyer kultivimit të duhanit, kulturë e cila mungonte prej më shumë se 20 vitesh në këtë zonë. Janë kryesisht emigrantët e rikthyer, ata që kanë nisur të investojnë në kultivimit e kësaj bime.

Banorët e fshatit Dorës, në rrethin e Librazhdit, kanë mbjellë parcela të konsiderueshme me duhan. Ata kërkojnë nga qeveria t’u subvencionojë karburantin.

Kjo fermë është vizituar nga deputeti socialist i rrethit të Librazhdit, zoti Taulant Balla, i cili u shpreh se do t’i jepet fund monopolit në grumbullimin e duhanit. Deputeti socialist tha gjithashtu se është e papranueshme, që kultura e duhanit nuk është e përfshirë në skemat e subvencionimit të Ministrisë së Bujqësisë, ndaj dhe vitin e ardhshëm do të kërkohet që edhe kultivimi i kësaj kulture të subvencionohet.

“Ky projekt këtu në bujqësi, sot, i cili do të lidhet me një projekt të ri, që do të vihet në jetë në ditët në vijim, për rifillimin e fabrikës së fermentimit të duhanit në Librazhd, e më pas me fabrikën, e cila ka përfunduar tashmë, për prodhimin e cigareve, krijon një cikël të mbyllur ekonomik. Qëllimi i vetëm është jo vetëm mbështetja e fshatarit, për sa i përket pjesës së bujqësisë, por cikli ekonomik, i ristartuar tashmë, do të krijojë disa qindra vende pune për qytetin dhe për komunat që rrethojnë sot Librazhdin”, u shpreh Taulant Balla, deputet i PS.

Lloji i duhanit i kultivuar në fshatin Dorës është i cilësisë së parë, sipas vetë fermerëve. Ata e kanë importuar atë nga Italia.

Top Channel