Fullani shkarkon nga detyra dy drejtorë

03/08/2014 00:00

Guvernatori Ardian Fullani ka shkarkuar nga detyra shefin e sigurisë, Eduard Sinani, ish-truprojë e tij, dhe shefin e Departamentit të Emisionit, Dorian Çollaku, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme mbi skandalin e vjedhjes së 713 mln lekëve në Bankën e Shqipërisë.

Një ditë më parë, Gjykata e Tiranës shpalli masën e sigurisë arrest me burg për 7 të arrestuarit e tjerë, që hetohen sikundër Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia.

Petrit Ramohitaj, përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator, e Bashkim Xhilaga, përgjegjës i të dyja arkave, dolën përpara gjyqtarit Arben Mullai, ndërsa dëgjuan qëndrimin e prokurorisë, që tha se punonjësit me veprimet e mos veprimet e tyre kanë shkaktuar vjedhjen e bankës, nga kolegu i tyre Bitraj.

Të dyshuarit u mbrojtën, duke u shprehur se nuk njihnin rregulloren dhe nuk dinin, specifikisht, se cilat ishin detyrat e tyre përkatëse, duke mohuar implikimin në këtë çështje. Familjarët e tyre u shprehën, jashtë kamerave, se të afërmit janë bërë “koka turku” dhe se shteti duhet të arrestojë njerëzit përgjegjës në këtë skandal.

Përveç 9 të arrestuarve, prokuroria ka nën hetim nëpunës të tjerë të Bankës së Shqipërisë, të cilët dyshohen se janë të implikuar në këtë vjedhje.

Top Channel