Real, Cristiano u dhuron iPhone punonjësve të klubit

02/08/2014 00:00

Për Cristiano Ronaldon është thënë që është arrogant dhe egoist, por në 5 vite tek Reali i Madridit portugezi ka treguar bujari, zemërgjerësi dhe mirënjohje ndaj shokëve të skuadrës dhe atyre punonjësve të klubit që nuk përmenden kurrë nëpër gazeta.

Në turin amerikan të Realit, Cristiano tregoi edhe një herë tjetër se mendon për ata që e kalojnë në heshtje ditën e punës tek klubi madrilen. Menjëherë sapo mbërriti në Los Angeles (26 korrik), futbollisti i dhuroi një iPhone (vlerësohet rreth 700 euro) të gjithë fizioterapistëve dhe punonjësve të skuadrës. Në fund, i teproi një celular dhe ia dhuroi të riut Marcos Llorente.

Edhe kur fitoi Topin e Artë FIFA në janar, Cristiano i dhuroi një smartphone të gjithë lojtarëve, stafit teknik, punonjësve, fizioterapistëve dhe mjekëve.

Ndërsa kur Reali fitoi Ligën e Kampioneve i dhuroi nga një makinë tre fizioterapistëve të cilët e kishin ndihmuar të rekuperonte dëmtimin dhe të ishte në fushë në finalen e Lisbonës.

Top Channel