Qeveria: Reforma rrit investimet

02/08/2014 00:00

Vizita e parë e numrit dy të qeverisë, Niko Peleshi ishte në Bradashesh, Komunë e cila kundërshtoi bashkimin me Elbasanin në reformën territoriale.

Peleshi ka shfrytëzuar përurimin e rrugës Balëz – Letan për të folur për efektet e krijimit të njësive të mëdha të pushtetit vendor. Përkundër nga pretendimi i disa komunave në vend për të mos u bashkuar me qytetet e tyre, zv.Kryeministri foli për përfitimin ekonomik dhe zhvillimor të tyre nga bashkimi në njësi më të mëdha.

Qeveria shqiptare që gjatë këtij viti investoi 100 milionë lekë për qytetet me potencial turistik do të rrisë vëmendjen financiare tek zhvillimi i njësive të reja të pushtetit vendor, tha zv.Kryeministri kur përveç Fondit Shqiptar të Zhvillimit është ngritur edhe një tjetër strukturë për këtë, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.

“Të dy këto organizma do të jenë akoma më të fuqishme tani me bashkitë e reja.  Një nga problemet që kanë bashkitë tona janë kapacitetet për projekte.  Duke filluar nga buxheti i këtij viti ne do të hapim një llogari për secilën prej 60 e ca bashkive të reja tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit për të financuar projektimin. Tani do kemi bashki më të mëdha, më të fuqishme, me kapacitete më të shtuara, por edhe me më shumë para dhe fonde, edhe nga qeveria, por edhe shumë fonde që çlirohen nga kursimet e reformës”, tha Peleshi.

Kryetari Bashkisë së Elbasanit përmendi një tjetër reformë që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare pas asaj territoriale.

“Nuk është thjesht një bashkim mekanik, për mua. Unë kam qenë partizan i kësaj pune, por shpresoj të kemi edhe decentralizim të kompetencave”, deklaroi kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

Decentralizimi ishte kushti i PD për të marrë pjesë në hartimin e reformës territoriale. Sipas demokratëve, harta e bashkimit të njësive vendore duhej të paraprihej nga rritja e kompetencave për drejtuesit e njësive të reja, reformë që qeveria ka premtuar ta miratojë brenda vjeshtës së këtij viti.

Top Channel