PD: Rama-Meta kanë kapur drejtësinë

02/08/2014 00:00

Demokratët përmes Eduart Halimit deklaruan se Edi Rama dhe Ilir Meta përkundër thirrjeve të Brukselit, SHBA-së e OSBE-së për të mos u nxituar me miratimin e ligjit për KLD-në, shpërfillën  thirrjet e tyre për të mundësuar kapjen politike të gjyqësorit.

“Të gjithë i kërkuan hapur Edi Ramës që të mos miratojë ligje të tilla si ai për KLD, i cili nuk sjell përmirësimin e luftës ndaj korrupsionit në gjyqësor, por kërcënimin e funksionimit të këtij institucioni dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi, që synon jo largimin e gjyqtarëve devijantë e të korruptuar, por të kapë KLD dhe ta kthejë atë në aneksin e PS, sic ishte deri  8 vjet më parë, me përbërje të eksponenteve më të lartë të PS dhe të bandave kriminale më të egra në vend; ku promovimet e gjyqtarëve ishin peng i korrupsionit politik apo shumave marramendëse të parave në shkëmbim të votës në atë Këshill”, deklaroi deputeti demokrat, Eduart Halimi.

Anti-kushtetuese dhe anti-demokratike e ka ciluar PD edhe krijimin e Byrosë së Hetimit, strukurë që u miratua në ligjin për Policinë e Shtetit.

Arben Ristani tha se ligji themeltar i shtetit i jep të drejtë vetëm prokurorisë të kryejë hetime, ndërsa Byroja e Hetimit, tha ai ngrihet si strukturë paralele e organit të akuzës.

“Dhe aty ku kapja nuk mund të bëhet drejtpërdrejt,  si në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm, e shmang  atë duke sjellë në jetë me nxitim një strukturë paralele tërësisht nën urdhërat e ekzekutivit. Byroja Kombëtare e Hetimit është një sajesë anti-kushtetuese, që oligarkia do ta përdorë si një kamzhik dhe këmishë force, për rivalët  dhe kundërshtarët e saj në politikë e kudo”, tha Ristani.

Ristani deklaroi se Partia Demokratike do të ndërmarrë të gjitha masat politike dhe ligjore për ta kundërshtuar këtë strukturë, por pa e konkretizuar nëse kjo nënkupton dërgimin edhe të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel