PBDNJ, aksion politik ndaj ndarjes

02/08/2014 00:00

Referendumi, Presidenti i Republikës, Gjykata Kushtetuese dhe kontaktet me ndërkombëtarët janë tashmë në qendër të aksionit politik të PBDNJ-së, partisë aleate në qeverisje që kundërshtoi fort ndarjen territoriale për Bashkinë e Himarës.

“Duhet pritur reagimet e Presidentit, nëse do ta dekretojë apo do t’ja rikthejë parlamentit ligjin konkret dhe vetëm pas kësaj ne mund të vazhdojmë me hapa të tjerë që janë së pari mbledhja e firmave për adresimin e çështjes në referendum, për t’i kërkuar një gjë të tillë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë edhe Gjykata Kushtetuese”, deklaroi për TCh kreu i PBDNJ.

Në vija të përgjithshme aksioni politik i paralajmëruar nga Dule ngjason me atë të njoftuar një ditë më parë nga Partia Demokratike. A do të thotë kjo që PBDNJ është në opozitë tashmë?

“Nuk bëhet fjalë për aleanca apo prishje aleancash, por për bashkërëndim veprimesh”, u përgjigj Dule.

A do të dalë Vangjel Dule nga koalicioni apo do të pritet vendimi i Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese?

“Janë dy elemente që duhen marrë parasysh, por dëshiroj të theksoj se deklarata që ne kemi bërë është po aq aktuale sa në momentet që e kemi bërë vecse duhet të kalojë nëpërmjet rrugëve institucionale të PBDNJ, por edhe tek partnerët tanë strategjikë siç është Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik grek, Omonia”, theksoi Dule.

Kreu i PBDNJ nuk pohoi dhe as mohoi nëse Ministri i Jashtëm grek ka kontaktuar me Kryeministrin Rama ditën e votimit të ligjit në parlament, siç u raportua në media. Por ai kundërshton qendrimin e Tiranës zyrtare se interesimi i Athinës është ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.

“Greqia ka të drejtën legjitime të interesohet për fatet e pjesëtarëve të minoritetit etnik grek në vendin tonë, aq më tepër kur këto të drejta cënohen”, u shpreh Dule.

Kreu i PBDNJ i mbetet akuzave se bashkimi i Himarës me Vranishtin i shërben interesave klienteliste të deputetit socialist të zonës i njohur, sipas tij nga banorët e Himarës se ndër vite është përpjekur të ndërtojë në zonën bregdetare.

“Kjo nuk e nderon Kryeministrin dhe jo deputetin e tij mik i cili ka një qëllim të vetëm që t’i shkojë deri në fund ëndrrës së tij për të zaptuar, për të nëpërkëmbur, për të shëmtuar Himarën për interesat e tij ilegjitime”, u shpreh Dule.

Top Channel