Basha: Rama-Meta promovojnë krimin

02/08/2014 00:00

Kryetari i demokrateve Lulzim Basha votoi në Njësine Bashkiake nr.8 në kryeqytet, ku po zhvillohet procesi zgjedhor i drejtuesve të  degëve të partisë që ai drejton, proces që duhej të kishte përfunduar brenda korrikut.

Por ndërsa nuk ka folur për zgjatjen e procesit, kryedemokrati foli për përmbajtjen e saj, kur tha se kërkohet reflektim i dyfishtë në zgjedhjen e drejtuesve të rinj, nga njëra anë vlerësimi i kontributit dhe meritës nga njëra anë dhe përfaqësim i vlerave si kundërvënie e atyre që quajti anti-vlera të promovuara nga mazhoranca.

“Siç po bëhet përditë e më e qartë për shqiptarët nga dyshja Rama –Meta, nuk kanë tjetër parim apo vlerë në themel të ekzistencës së tyre politike, përveç promovimit të krimit, ardhjes së krimit në krye të administratës, futjes së krimit në Parlament, vjedhjes ditën për diell të 3 miliardë dollarëve, pasuri të shqiptarëve, me marrëveshjen famëkeqe të CEZ-it”, deklaroi Basha.

Nga ky takim Basha shprehu angazhimin për rritjen e partisë që drejton që pas zgjedhjeve të vitit të shkuar, kur PD doli në opozitë me një humbje të thellë.

“Unë jam i vendosur dhe po e faktoj dita–ditës bashkë me ju, se këtë parti do ta bëjmë më të madhe, më të fuqishme, më të dashur dhe më të besueshme, duke e konsoliduar edhe më shumë lirinë e vendimarrjes nga sovrani në PD që është dhe do të jetë këtej e tutje, anëtari dhe anëtarja e PD”, u shpreh Basha.

Top Channel