“Rebelët” e PS: Do të votojmë reformën

29/07/2014 00:00

Mazhoranca siguron votat për shumicën e cilësuar këtë të enjte në Kuvend. Dy nga gjashtë deputetët që nuk ishin prezent në seancën shkuar konfirmojnë votën pro për projektligjet e mbetura, ndër to edhe ndarjen e re territoriale.

Pjerin Ndreu për Top Channel garanton se nuk do t’i dalë kundër qeverisë, por ai pohon se qendrimet lidhen me trajtimin e zonës së tij elektorale.

“Unë ju deklaroj se as unë as kolegët e mi dhe askush nuk do t’i bëjë shantazh kurrë PS-së. Ne do jemi pjesë e përhershme e PS dhe askush të mos e mendojë ndryshe. Kuptohet që rast pas rasti do të diskutohen hapur problemet dhe nuk kemi asnjë arsye në PS që të mos i themi hapur. Është e drejta ime si deputet që të ngre zërin për elektoratin tim. Edhe njëherë ju garantoj që nuk ngritur zërin për veten, për familjen dhe as për ministrat, as për qeverinë, kam ngritur një problematikë që lidhet me elektoratin tim të Kamzës dhe Paskuqanit. Të enjten votoj reformën territoriale”, deklaroi deputeti Pjerin Ndreu.

Të njëjtin pohim ka bërë edhe deputeti Tom Doshi.

“Patjetër që do ta votojmë. Vërejtjet që kam paraqitur janë rregulluar. Pakënaqësitë i shfaqa në komision dhe tani nuk ka asnjë problem”, thotë deputeti Tom Doshi.

Por Doshi, që ka qenë publikisht aktiv në akuzat dhe kritikat ndaj Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, deklaron se i mbetet këtyre qendrimeve.

“S’jam i penduar për ato që kam thënë për të. I qendroj të gjitha akuzave që kam bërë për të, biles kam edhe disa rezerva të tjera për të”, shtoi Doshi.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, i pranishëm përpara fillimit të punës në Komisionin e Sigurise ku do të diskutohej projektligji për Policinë e Shtetit, nuk ka komentuar deklaratat në adresë të tij nga deputeti i grupit të tij parlamentar.

Edhe tre deputetë të tjerë që iu bashkuan të ashtuquajturit grup rebel në PS kanë deklaruar në media se të enjten do të jenë në seancë dhe do të votojnë reformën territoriale dhe ligjet e mbetura nga seanca e kaluar.

Top Channel