28 Korrik 1914, kur Austro-Hungaria i shpallte luftë Serbisë

28/07/2014 00:00

28 Korrik të një shekulli më parë, Austro-Hungaria e asaj kohe do t’i
deklaronte luftë Serbisë, një vendim që pasoi nisjen e Luftës së Parë
Botërore, ose asaj që ndryshe quhet si “Lufta e Madhe” dhe më mizorja në
historinë njerëzore.

Vendimi i perandorisë austro-hungareze erdhi pas vrasjes së trashëgimtarit të fronit, Arkidukës Ferdinand dhe bashkëshortes së tij Sofie në Sarajevë nga nacionalisti serb Gavrilo Princip.

Ja cilat janë disa nga momentet kulmore të atyre muajve të parë të vrullshëm dhe të përgjakshëm që çoi në një përleshje 4-vjeçare dhe që shndërroi në një ‘mejdan’ mbarë Europën:

23 korrik 1914:
Ministri i Jashtëm i austro-hungarisë, Baroni Giesl von Gieslingen i dorëzon ultimatumin Ministrit të Jashtëm serb.

28 korrik 1914: Austro-Hungaria i deklaron luftë Serbisë dhe njofton nisjen e ofensivës ushtarake drejt Beogradit.

31 korri 1914;
Rusia reagon duke nisur mobilizimin e trupave në mbrojtje të miqësisë së vjetër me Serbinë. Gjermania i dërgon ultimatum Rusisë dhe Francës që të ndalin përgatitjet për luftë.

3 gusht 1914; Gjermania i deklaron luftë Francës. Parisi reagon duke thërritur mobilizimin kombëtar.

4 gusht 1914;
Gjermania pushton Belgjikën. Lëvizja përfshin në luftë Britaninë e Madhe.

13 gusht 1914; Austriakët pushtojnë Serbinë, Franca ndërmerr një ofensivë kundër vijës mbrojtëse gjermane në Alzas-Lorena.

15 gusht 1914; përplasja e parë mes austro-hungarezëve dhe rusëve në lindje në Galizia.

20 gusht 1914; trupat gjermane hyjnë triumfatore në Bruksel.

22 gusht 1914; nis beteja 3-ditore mes trupave gjermane dhe atyre franceze përgjatë kufirit franko-belg. Zgjati nga 22 gusht deri më 25 gusht dhe cilësohet si një ndër betejat më të përgjakëshme. Francezët humbën 27 mijë ushtarë vetëm ditën e parë të sulmit gjerman, ku u përdor edhe lufta trup më trup dhe bajoneta. Në fund francezët tërhiqen dhe ndërtojnë mbrotjen e Parisit në lumin Marna.

23 gusht 1914; trupat e para britanike mbërrijnë në Belgjikë. Beteja e parë kundër gjermanëve zhvillohet në Mons.

24 gusht 1914; ushtria ruse pëson disfatë të rënë në betejën e Tannebergut në frontin e Lindjes. Mijëra ushtarë humbën jetën dhe po mijëra u zunë rob nga ushtarët gjermanë.

6 shtator 1914; ofensiva gjermane në lumin Marna ndalet nga mbrojtja franceze. Këta të fundit gjejnë kohë edhe për kundërsulm.

12 tetor 1914; trupat britanike nisin udhëtimin drejt Ypres, aty ku do të zhvillohet ajo që u quajt “beteja e betejave”.

29 tetor 1914; Perandoria Osmane përfshihet në luftë duke u rreshtuar në krah të aleancës së fuqive të qendrës të udhëhequr nga Gjermania dhe Austro-Hungaria.

2 dhjetor 1914; Beogradi bie në duart e austriakëve.

17 dhjetor 1914; katastrofa e kalorësisë perandorake austriake e cila sprapset për të tretën herë nga serbët në Valjevo.

25 dhjetor 1914; Ditë Krishtlindjesh që frymëzoi shkrimtarë, regjisorë e artistë që në bazë të fakteve të atyre ditëve të errta janë munduar të jetësojnë momentin kur ushtarët kundërshtarë, britanikë e francezë në njërin krah dhe gjermanët në krahun tjetër në një akt të paprecedentë ulën armët dhe u takuan në “tokën e askujt” për t’i uruar njëri-tjetrit festën. Nuk do të përsëritej kurrë më më vonë.

Top Channel