Ilir Yzeiri – Ndodh shpeshherë në jetë që mund të gjendesh dëshmitar në një kohë e në një vend për të cilët ti do të parapëlqeje më shumë t’i sodisje nga larg si një spektator kinemaje dhe të këndelleshe me kënaqësinë që provojmë kur shijojmë një film dhe nuk do të doje kurrë që t’ua tregoje të tjerëve mbresat nga ky përjetim.
Mirëpo është e pamundur sepse në raste të tilla ke ndjesinë që ekrani ku projektohet kjo ngjarje, është tredimensional, pra të përfshin edhe ty. Kështu ka ndodhur edhe me polemikën mes shkrimtarit tonë me famë botërore Ismail Kadare dhe profesorit, studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Janë që të dy miqtë e mi dhe profesor Nashoja ka qenë edhe pedagogu im i letërsisë. Debati që ka shpërthyer në shtyp dhe që tashmë është bërë ushqim për mediat barkthata të Tiranës që ushqehen me hedhurinat e darkave me mjegull të Tiranës, duket se e ka kapërcyer thelbin dhe ka marrë formën e vet tradicionale, atë të gjyqit kolektiv ndaj Kadaresë. Në media, në rrjete sociale, përballë popullit të internetit Kadareja është vënë me shpatulla në mur dhe gjithkush po përpiqet të hedhë nga një gur mbi shkrimtarin shqiptar më të madh të të gjitha kohërave. Unë vetë, sapo e lexova romanin “Mjegullat e Tiranës”, e pata ndier që një debat i tillë do të lindte me siguri, sepse Kadare, në bisedën me V. Isufajn e kishte paralajmëruar atë. Dhe ja, befas, dy miqtë e dikurshëm u gjendën në dy anë të kundërta të një beteje letrare që edhe mund të ishte kursyer ose që mund të ishte bërë edhe me mjete më të zgjedhura. Qysh në fillim kam menduar se ky është një problem letrar më parë, pastaj etik dhe moral. Dhe shumë shpejt e justifikova këtë përplasje të mundshme sepse mes shkrimtarëve apo mes miqve që kanë si lidhje letërsinë, polemikat janë të natyrshme. Madje, në ndonjë rast, edhe fort të egra. Për këtë mjafton të shohim traditën shqiptare dhe bindemi lehtë e këtu kam parasysh Fishtën dhe polemikat e tij me F. Ndocajn. Polemikat e përgjakshme letrare mes Konicës dhe Nolit, i njohim të gjithë, ashtu si edhe ato mes Kutelit dhe Pipës apo Kutelit dhe Kris Malokit. Pra, polemikat për shkak të letërsisë janë një gjë e njohur dhe, në këtë rast, nëse Kadare, pas pesëdhjetë vjetësh, hedh poshtë një roman të Nasho Jorgaqit duke e quajtur atë si skematik dhe aluzionet e heroit qendror me atë vetë si thellësisht të ngjyrosura me të kuqen e realizmit socialist, kjo është një e drejtë e Kadaresë që të flasë për letërsinë në përgjithësi dhe për vepra që e prekin atë në veçanti. Po ashtu, edhe Nasho Jorgaqi është në të drejtën e tij që të reagojë, madje t’i përgjigjet me po të njëjtën hidhësirë ish-mikut të tij dhe idhullit të tij gjithashtu. Studiuesit e letërsisë do të kenë më pas një lëndë tjetër për të shpjeguar një nga periudhat më të komplikuara siç është ajo e realizmit socialist. Mirëpo që në krye të herës, pikërisht kjo figurë, ajo e studiuesit iku si e lebetitur nga fusha e debatit dhe e la atë të degjenerojë në një sherr të panevojshëm, e la gjithashtu idhullin e saj që të vihej me shpatulla në mur dhe të duronte edhe një herë këngën e vjetër se ai manipulon veprat e tij, se ai i ka korrigjuar ato, se ai kinse hiqet si disident, por i ka kënduar partisë dhe Stalinit. Ndërkohë, zemërimi i drejtë i profesor Nasho Jorgaqit u harrua dhe gjithë vëmendja u përqendrua tek etika e shkrimtarit Kadare dhe te raporti i tij me diktaturën.
Ku është autorja e librit
Libri “Mjegullat e Tiranës” ka një paraqitje të veçantë. Në ballinën e tij nuk është emri i Kadaresë. Ai që e ka parë romanin, e ka vënë re këtë, ndërsa cilido që e ka shfletuar, ka lexuar më parë intervistën e një studiueseje me emrin Viola Isufaj dhe Kadaresë. Në një pjesë të kësaj interviste thuhet:
V. I.: Pasi vendosët ta botoni romanin, a ju mundoi ndonjëherë frika se lexuesi, i mësuar me madhështinë tuaj, do të harronte se këtu kishte të bënte, përmbi të gjitha, me një “archi-roman”, e, njëkohësisht, me një shkrim të brishtë?
I. K.: Sigurisht që s’kishte si të mos ndodhte një gjë e tillë. Megjithatë më ka qetësuar mendimi se herët a vonë ky krijim letrar do të merrej ashtu siç ishte: edhe archi-roman, edhe i brishtë, edhe imi e, njëherësh, jo. Në fund të fundit, pa kërkuar ndërlikime, mund të thuhet se kjo ishte edhe arsyeja kryesore që ai do të botohej jo me emrin tim në mbulesë, por me atë të studiuesit, në këtë rast me emrin tuaj”.
Intervista pason dhe një studim të gjatë të kësaj studiueseje, e cila mëton se po zbaton kritikën gjenetike në analizën e këtij romani dhe, më tej, duke e parë këtë roman si ADN-në e krijimtarisë së Kadaresë, shtyhet dhe përpiqet të gjejë aty gjithë zgjerimet e mëvonshme të tekstit letrar të tij duke analizuar tekstin dhe poetikën e veprave kadareane. Mirëpo çfarë ndodh? Romani që ka në ballinë emrin e saj, akuzohet nga studiuesi dhe shkrimtari Nasho Jorgaqi, që është edhe një nga të prekurit e mëdhenj të tij, se ky roman që po i paraqitet sot lexuesit, nuk mund të jetë shkruar në atë kohë që pretendon autori. Ai ka argumentet e tij të cilat gjithkush është i lirë t’i besojë ose jo. Ardian Vehbiu thotë që, nëse është kështu, pra i beson N. Jorgaqit, atëherë kemi të bëjmë me një kirurgji plastike që Kadareja e përdor rëndom në veprat e tij. B. Londo, duke dashur ta mbrojë Kadarenë, e asgjëson fare argumentin dhe kritikën gjenetike, sepse, sipas tij, nuk ka rëndësi koha kur është shkruar, por ka rëndësi vepra. Në këto kushte gjithë studimi i autores që ka emrin në ballinë, asgjësohet dhe bie poshtë. Paradoksi nuk qëndron tek ikja e studiueses nga debati, paradoksi qëndron te profili i studiuesit në vendin tonë, profil që, më së shumti, shfaqet nëpër katedra të mbytura nga sherre dhe nga frikëra, portret që e dobëson figurën e studiuesit serioz dhe trimëron më tej popullin e internetit dhe i hedh pak erëza gjellës pa shije që na servir përditë media e paushqyer dhe e rraskapitur shqiptare. Natyrisht, askush nuk mund ta detyrojë këtë studiuese që të marrë pjesë në një debat letrar, por në këtë rast ajo është e detyruar që të përgjigjet. Debati, po të donim të bënim një paralelizëm me kronikën e verdhë, mund të thoshim me ironi se në disa raste ka marrë formën e një “krimi letrar”, në kuptimin që është zbuluar një tekst, të cilin autori pretendon se e ka mbajtur të fshehtë bashkë me ditarët e tij përreth 50 vjet dhe në zbulim e sipër, ashtu siç ndodh me sendet e vjetra, dikush është prekur dhe është shënuar edhe një viktimë. Zbulimi i këtij teksti ka shkaktuar pra, viktimën morale dhe ka ndezur një debat mes dy miqsh të hershëm për një ngjarje në të cilën të dy janë të përfshirë. Dhe ashtu siç ndodh rëndom në letërsi, shkak për këtë debat është bërë dashuria, një ngjarje reale për të cilën deri pak më parë kishte vetëm një dëshmi të tërthortë letrare. Tani ne marrim vesh se protagonisti i kësaj aventure ka mbajtur një ditar për historinë më të madhe të dashurisë në ambientet studentore në vitet ‘50. Jo vetëm kaq, por ai, personazhi real, nga këta ditarë ka nxjerrë edhe një roman, të cilin e ka shkruar në vitin 1958. Nëse do ta përfytyronim këtë ngjarje si një skenë krimi, atëherë kjo studiuese ka qenë më me fat se të gjithë të tjerët, sepse asaj për një rastësi apo diçka tjetër, i është dhënë e drejta që ta zbulojë e para “trupin e kalcifikuar të krimit letrar”. Ndërkaq, duke shkuar atje, kjo studiuese duhet ta dinte se po merrte një përgjegjësi të madhe mbi vete sepse ishte ngarkuar nga një instancë superiore që të bënte ekspertizën dhe të njoftonte opinionin publik. Ajo do të duhej të ishte gati që të paraqitej më pas edhe në gjyqin që do të pasonte këtë krim letrar. Në ballafaqimin me këtë vend apo skenë krimi, ajo është e para që ka parë fletoret e ditarëve të Kadaresë, është e para që ka matur deri edhe margjinat lart e poshtë faqeve. I ka shfletuar të gjitha me radhë. Është e para që ka hetuar këtë tekst, duke ndjekur rrugën nga ditari ose parateksti deri te romani. Mirëpo gjithë studimi i saj aktualisht është shpallur i pavlefshëm, sepse studiuesi dhe shkrimtari Nasho Jorgaqi hedh dyshime. Në këtë rast, të drejtën e polemikës e ka vetëm kjo studiuese, vetëm kjo eksperte, sepse ajo ka qenë e para dhe e vetmja që e ka hetuar këtë krim letrar. Nëse ajo nuk e mbron dot punën e saj, kjo, nga ana tjetër, nuk do të thotë se krimi nuk është kryer, pra se ngjarja nuk ka ndodhur. Vepra është shkruar, ditarët janë mbajtur dhe ky archi-roman është aty. Fletoret që mbajnë këtë krim letrar, ndodhen tashmë në Arkivin e Shtetit dhe gjithkush mund t’i konsultojë. Ajo që nuk ndodhet në Arkivin e Shtetit dhe që ka mbetur e shpërndarë nëpër logosferën e sherrnajës së madhe dhe që ka si motiv gjithmonë emrin e Kadaresë, mbetet edhe sot e gjithë ditën një argument që i kapërcen kufijtë e letërsisë. Sapo hapet një debat që ka në qendër Kadarenë, atij i kujtohet gjithmonë se nuk ka qenë disident, se i ka shërbyer regjimit, se i ka korrigjuar veprat e tij në mënyrë që të fshehë të kaluarën, e kështu me radhë. Edhe debati i fundit, për fat të keq, ia arriti që të shmangej nga thelbi i tij dhe me një shpejtësi të rrufeshme dhe me një zell të paimagjinueshëm, u kthye në një llavë të ngrohtë që u nis e u derdh mbi shtatin moral dhe etik të shkrimtarit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave. Për hir të së vërtetës u harrua edhe fillimi, apo nisja e debatit, u harrua se polemika nisi si një debat për një ngjarje të caktuar, për një vepër të caktuar dhe midis dy ish-miqsh.
Poetika e censurës ose rishkrimi në diktaturë
Mishel Fuko, në çelje të librit të tij “L’ordre du discours”, duke hapur leksionin para studentëve, thotë se nuk di çfarë të bëj, se më shumë do të pëlqeja të mbështillesha me fjalë dhe të humbisja nëpër to, të ngatërrohesha në ligjërime që janë mbajtur dikur, të depërtoja në universin e gjithë atij ligjërimi që mbështjell njeriun, por jo, më duhet që të dal mënjanë dhe të kap një fjalë e të filloj edhe unë të ndërtoj një ligjërim. Nga kjo pikëpamje vepra e Kadaresë është një ligjërim i gjerë, një tekst që ka mbështjellë mendjet e miliona lexuesve, bën pjesë tek ato që përsëri Fuko i quan si ligjërime që janë thënë, mbeten të thëna dhe do të thuhen vazhdimisht. Të tilla janë tekstet fetare, juridike dhe ato letrare. Por është fjala gjithmonë për tekstet e mëdha letrare, për kryeveprat botërore ku futen, natyrisht, edhe ato të Kadaresë. Kadareja akuzohet se i ka modifikuar veprat e tij në mënyrë që të jetë i pëlqyeshëm për Perëndimin. Edhe në këtë rast, do të ishte mirë që këtu fjalën e parë ta thoshin studiuesit, ata që merren me kritikën e tekstit sidomos. Është e çuditshme, por libri i Peter Morganit, “Shkrimtari dhe diktatura” i studiuesit australian që është ndër më të plotët dhe më seriozët, nuk është përmendur thuajse fare në Shqipëri. Askush nuk i referohet atij për të parë se vepra e Kadaresë në sytë e një perëndimori nuk është ashtu siç paraqitet disa herë në Shqipëri. Po ashtu, ka dhe një fakt tjetër. Kadare u bë i famshëm gjatë diktaturës dhe publiku perëndimor e ka njohur atë me variantin e parë të botimit të veprave të tij. Është e vërtetë që ai i ka ripunuar dhe ribotuar disa herë shumicën e veprave të tij, por ribotimet apo ripunimet nuk kanë prekur asnjëherë strukturën e veprës. Nëse do të kishte ndodhur kështu, studiuesit e huaj do ta kishin vënë re të parët këtë shformim. Ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Një shembull emblematik është romani “Dimri i madh” i cili, në variantin e parë “Dimri i vetmisë së madhe” u kritikua dhe u hoq nga qarkullimi. Cilido që e ka vënë re apo që e ka analizuar ripunimin që ka bërë Kadare në variantin e dytë, ka vështruar se ajo që është ndryshuar, ka pasur një vlerë krejtësisht periferike dhe ka qenë në përputhje me atë që në regjimet totalitare quhet poetika e censurës.
Ishte e pashmangshme mjegulla
Romani “Mjegullat e Tiranës” që u botua këtë vit, dukej se e mbante qysh në titull një lloj grije, një gjendje trishtimi dhe ankthi gjithashtu. Duke rikujtuar dashurinë më të madhe të viteve ‘50 në ambientet studentore të kryeqytetit, ishte e natyrshme që do të provokohej edhe ndonjë sherr. Ajo që nuk u kuptua në fillim ishte se ky sherr i munguar u zhvillua pesëdhjetë vjet më vonë. Nuk mund të zhvillohej në atë kohë, pra pesëdhjetë vjet më parë sepse, për shkak të kohës në të cilin jetonin protagonistët, për shkak të dashurisë, ishte e papranueshme dhe e pamoralshme që të fillonte një sherr. Dashuria nuk ishte më një pronë vetjake. Ishte një ndjenjë që duhej hedhur ose në fund të shpirtit e të vdiste aty, ose do të duhej ta maskoje e ta vishje me fustanin mbi gju të kohës socialiste. Megjithatë, edhe kështu siç na u paraqit, për studiuesit ky debat është i vlefshëm se e zgjeron hapësirën e njohjes sonë për një nga periudhat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare. Dhe sa herë që ndodhin të tilla rivlerësime, aktorët natyrisht që do të paguajnë një kosto. Është e vështirë të thuash nëse letërsia shqiptare do të kishte fituar apo humbur nëse edhe Kadareja do ta kishte botuar që në atë kohë këtë roman dhe Nasho Jorgaqi do të kishte botuar “Dashurinë e Mimozës”. Një gjë është e sigurt: historia nuk bëhet me sikur. Ne tani kemi dy rrëfime, dy romane për një dashuri. Tani është mirë që të flasin studiuesit.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel