Korçë, tentohet të grabitet një argjendari

27/07/2014 00:00

Një tentativë grabitje është regjistruar këtë të diel në qendër të qytetit të Korçës, ku dy persona të maskuar dhe me armë kanë tentuar të grabisin një argjendari.

Ngjarja është regjistruar në ‘Pedonalen’ e qytetit rreth orës 16:00, ku sipas të dhënave të policisë, një person i maskuar dhe me pistoletë ka hyrë në një prej argjendarive ndërkohë që një tjetër person me automatik ka qëndruar jashtë.

Duke përfituar nga qetësia dhe mungesa e lëvizjes grabitësi ka hyrë në dyqan duke kërkuar të marrë bizhuteri dhe para, por është vënë përballur me rezistencën e pronarit Roland Topi.

Pavarësisht se grabitësi ka qenë i armatosur pronari është konfrontuar fizikisht me të duke u përpjekur ta nxjerrë jashtë dyqanit, por sapo ka dalë grabitësi tjetër e ka qëlluar atë me qytën e automatikut që mbante në dorë dhe të dy së bashku janë larguar pa mundur të marrin gjë.

Sipas dëshmitarëve, pas ngjarjes grabitësit janë larguar me një automjet tip “Benz” të zi me targa të Elbasanit.

Top Channel