
Shkëlzen Gashi, duket se e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën te ekipi më i mirë zviceran, Basel.
Pasi përfundoi një sezon fantastik me Grasshoppers, duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit me 19 gola, lojtari i kombëtares shqiptare vendosi të ndryshoi ekip gjatë verës, duke veshur bluzën e Basel.
Në dy ndeshjet e para të kampionatit ai është aktivizuar që nga minuta e parë, megjithëse në ekip gjenden lojtarë të një niveli të lartë dhe me përvojë, por ky besim i drejtuesve është shpërblyer nga shqiptari. Në ndeshjen e parë, edhe pse nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, Gashi dhuroi një asist dhe bëri një paraqitje të mirë. Ndërsa në ndeshjen e dytë, atë ndaj Luzern, ku aktivizohet edhe Hyka, ai arriti të gjente edhe golin e parë me ekipin e ri në minutën e 39.
Në këtë ndeshje Basel arriti të fitonte 3-0 dhe aktualisht gjendet në vendin e dytë në renditje, por me një ndeshje më pak se Zurich, ekip ku bën pjesë edhe Armando Sadiku, një tjetër sulmues i kombëtares sonë, por që aktualisht nuk aktivizohet për shkak të një dëmtimi të rënd.
Top Channel