Tito vazhdon të prodhojë turizëm

26/07/2014 00:00

Varka niset për të arritur në ishullin e ndaluar. Ishujt kroatë, dikur shumica pjesë e shfrytëzimit nga institucionet dhe burrështetasit, tani janë atraksion turistik.

Brijoni, vendi ku dikur kalonte verën Josip Broz Titot, tashmë është ishulli i thesarit për kroatët. Qindra turistë zbarkojnë aty çdo ditë për të parë historinë e këtij ishulli. Terrene golfi, vila e hotele.

Por, pjesa më interesante është se aty ende janë gjallë ata që dikur ishin figura historike. Në këtë ishull kanë shkelur gati të gjithë, nga amerikanët e deri tek rusët.

Aktorët më të famshëm si Merlin Monro, e deri tek politika si ish-liderja e Indisë, Indira Gandi. Në muzeun e Titos duket qartë se kush vinte në këtë ishull sillte dhurata. Kafshët nuk mbijetonin gjatë, por janë ruajtur gati siç kanë qenë.

Ky ishull është thesar historie dhe ende ruhet si i tillë. Është mjaft i shtrenjtë, por varkat në zonën e Pulës arrijnë deri atje. Turistët mund të shohin kopshtin. Kurse për ekonominë kroate, Tito mban gjallë shumë njerëz.

“Kemi turistë nga të gjitha vendet, nga Gjermania, Austria, Evropa lindore dhe në përgjithësi ka deri në fund të muajit nëntor. Në vit janë rreth 160 mijë turistë që vijnë këtu”, tregon Sanja Llazareviç, me profesion guidë turistike.

Mbi 30 kilometra nga Zagrebi, ekonomia e Titos lulëzon në Kumrovec, fshatin ku thuhet se ai ka lindur. Aty dyjëzohet jeta e fshatit dhe komunizmi. Pak suvenire dhe gjithçka e ngrirë. Turistët nga vendet perëndimore marrin kujtimet e tyre.

“Kemi parë mjaft gjëra këtu. Nga ajo se si kanë jetuar njerëzit dikur, por edhe se si ka jetuar Tito në kohën e tij”, thotë një vizitore.

“Është e rëndësishme që ta njohim historinë e kësaj pjese të Evropës. Tito është një emër që ende njihet nëpër Evropë dhe është interesante dhe vlerë për ta parë këtë vend”, shprehet një tjetër.

Si për ironi, Tito la luftën pas vdekjes së tij. Për kroatët tani vlen historia e tij, ashtu siç ia vlen dhe për një pjesë të serbëve. Në rrëfime nostalgjie, jugosllavët e dikurshëm shpejt gjenden në përqafime, ndonëse pas tyre është një e kaluar e hidhur.

Top Channel