Infektimi nga karkaleci në Tërbuf

25/07/2014 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka qenë i pranishëm në spërkatjen me pesticide kundër karkalecit në fushat e Tërbufit, në Lushnje.

Metoda e luftimit po kryhet me spërkatje nëpërmjet mekanikës bujqësore. Sipas zotit Panariti, kjo metodë është e provuar edhe më parë për zhdukjen e insekteve dëmtuese në bujqësi dhe nuk jep efekte të dëmshme në mjedise të tjera bujqësore.

Bletët dhe insektet e tjera jo të dëmshme nuk mund të helmohen, pasi helmi është i përgatitur vetëm për karkalecin. Vitin e ardhshëm spërkatja do të bëhet me një fushatë të gjerë në tokat bujqësore në të gjithë Shqipërinë.

“Sot fillojmë në mënyrë të organizuar luftën kundër karkalecit. Këtë vit ai ka qenë me shumicë edhe në saj të kushteve të favorshme të klimës. Por ne po zhvillojmë fushatën për çrrënjosjen e këtij insekti të dëmshëm dhe substanca përkatëse nuk do të krijojë asnjë ndotje në mjedis”, deklaroi Panariti.

Luftimi i karkalecit në sipërfaqet e mbjella me foragjerë është hera e parë që kryhet në fushat e Tërbufit pas 25 vjetësh. Këtë vit luftimi i kolonive të karkalecave nisi me vonesë pasi 2.000 ha tokë ishin infektuar.

Top Channel