Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, njëherësh kryetar i mazhorancës parlamentare, se promovon elementët kriminalë në partinë e tij.

Në një deklaratë për shtyp, koordinatorja për mediat në PD, Silvi Bardhi i është referuar deputetit Arben Ndoka, i cili pasi sulmoi deputetët e opozitës është ulur në rreshtin e parë në sallën e Kuvendit, kur flitet për rendin dhe sigurinë.

Gjithashtu, PD ka kritikuar ashpër kryeministrin Rama edhe për heshtjen ndaj provave të treguara për përfshirjen kriminale të Ndokës, si dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, për përfshirje sipas saj në këtë lojë.

“Edi Rama prej dy javësh hesht për agresionin banditesk ndaj deputetëve të opozitës në Parlament. Hesht edhe pse u publika dosja e tij kriminale dhe depërtimi i trafikantëve të qënieve njerëzore dhe pengmarrësve në Parlament. Sot në këtë lojë është përfshirë edhe Ilir Meta, që tha se opozita është në pushime të parakohshme. Kjo është e papranueshme, pasi opozita ka ndërprerë marrëdhëniet me atë Parlament ku është instaluar krimi, me qëllim për të shmangur gjakderdhjen”, ka deklaruar Bardhi.

Top Channel