Miratohet ligji për aftësinë e kufizuar

24/07/2014 00:00

Në mungesë të deputetëve të opozitës, është miratuar nga Parlamenti ligji kuadër për aftësinë e kufizuar, që, sipas ministrit të Mirëqenies Sociale, nuk i heq të drejtat askujt, por shton kategoritë e përfituesve, si fëmijët autikë, daën, e grupe të tjera me aftësi të kufizuara.

“Ne nuk mundemi që një monopol, të cilin duhet ta ketë shteti shqiptar, i cili me paratë e taksapaguesve paguan transfertat cash, t’ia kalojmë një apo dy shoqatave. Në qoftë se paratë i ofron taksapaguesi, atëherë vetëm mjekët e Republikës së Shqipërisë duhet të kenë autoritet, që të autorizojnë këto pagesa për personat me aftësi të kufizuara”, u shpreh ministri Erion Veliaj.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, tha që nuk do të lejohet më, që persona të shëndetshëm të përfitojnë pagesa, duke hyrë në mënyrë abuzive në skemën e aftësisë së kufizuar.

Ky projektligj u kundërshtua me protesta në shoqatat e të verbërve dhe paraplegjikë-tetraplegjikëve, kur po diskutohej në komisionet parlamentare, pasi sipas tyre u heq të drejtën e përfaqësimit dhe u jep të drejtën personave apo organizatave të ndryshme, të përfitojnë fonde në emër të paaftësisë së tyre.

Top Channel