Ultimatum për abuzimin me recetat

22/07/2014 00:00

Në 300 ditët e para të qeverisjes së socialistëve në shëndetësi janë vënë piketat e kthesës së rëndësishme, ku në spitale tashmë nuk mungojnë barnat.

Drejtoresha e QSUT-së, Eugerta Manastirliu, deklaroi: “Në spital mungonte glukoza, uji fiziologjik, serumi dhe shumë barna. Zgjidhëm emergjencën duke normalizuar furnizimin me barna për periudhën e fundvitit. Sot nuk ka më mungesa në barna dhe materiale mjekësore të shportës bazë. Kemi siguruar funksionimin e vazhdueshëm të pajisjeve biomjekësore si dhe kemi vënë në punë akseleratorin linear për radiokirurgjinë dhe trajtimin e tumoreve në tru dhe në trup.” 

Sipas drejtoreshës së QSUT-së, është rritur cilësia e ofrimit të shërbimit, nuk ka më kioska por gjelbërim duke i shndërruar pamjen qendrës më të madhe spitalore. Numri i barnave të rimbursueshme është rritur ndjeshëm, ndërkohë që janë 10 paketa shërbimesh si kardiologji, nefrologji e të tjera ku shërbimi ofrohet falas dhe shpenzimet mbulohen nga qeveria.

Prof. Dr. Astrit Beci, drejtor i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, theksoi: “Edhe pse me një fond të pandryshuar për barnat krahasuar me një vit më parë, ne arritëm të shtonim në listën e rimbursimit 56 barna të reja. Kjo, falë heqjes së TVSH-së së barnave, menaxhimit më të mirë të fondeve dhe negocimit të çmimeve.”

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, radhiti një pas një arritjet, si heqjen e TVSH-së për barnat, uljen e mëtejshme të çmimit të barnave duke thyer monopolet e duke rritur konkurrencën në treg. Në shtator fillon “chek-up” për moshat 40-65 vjeç, do të zbatohet me çdo kusht ligji anti-duhan në ambientet e mbyllura,do të kryhen investime në infrastrukturën spitalore, si dhe reformë e thellë në shërbimin e urgjencës. Por, më pas iu drejtua mjekëve duke mos lënë pa përmendur ryshfetin në dorë që paguajnë pacientët për shërbimin shëndetësor.

“U përpoqëm që profesionistëve t’u krijonim kushtet minimale të punës: të kenë barna, laboratore dhe pajisje ekzaminuese që funksionojnë. Tani është në dorën tuaj për t’i provuar shqiptarëve që nuk ka nevojë të japësh para’ në dorë për të marrë kujdesin shëndetësor që kanë nevojë. Gjëja më e rëndë që ka ndodhur në këto 20 vite është thyerja e besimit”, tha ministri.

Do të mbështeten me fonde, tha ministri i Shëndetësisë, ato spitale që do të zhdukin ryshfetin  nën dorë ndaj mjekëve. Kryeministri Edi Rama, duke përmendur arritjet në shëndetësi në këto 300 ditë, nuk anashkaloi akuzat për mosrealizimin e shëndetësisë falas. Nuk është një haluçinacion ideologjik elektoral, theksoi Rama, por një premtim që do ta mbajmë në kohën e nevojshme për këtë revolucion pasi kemi një sistem të ngritur mbi siguracione që nuk funksionojnë. Ndërsa u shpreh i qartë dhe i prerë për të zhbërë nga themelet recetat klienteliste të mjekëve apo orientimet drejt farmacive ku ata marrin përqindje duke paralajmëruar çdo bluzë të bardhë të përfshirë në këtë abuzim.

“Fushata anti-korrupsion që do të nisë në vjeshtë do të ketë në zemrën e vet luftën kundër korrupsionit në spitale. Toleranca do të jetë zero dhe do të goditen të gjithë: nga drejtori deri tek i fundit në shërbimin spitalor. Është e patolerueshme që në të gjitha arteriet e shërbimit shëndetësor të Shqipërisë pluskon llumi i korrupsionit’, u shpreh zoti Rama.

Viti i dytë i mandatit, theksoi kryeministri, do të përqendrohet në një luftë anti-korrupsion të paparë, sidomos në shëndetësi: “Jemi përballë një sfide që jemi shumë të vendosur ta fitojmë dhe do ta fitojmë pa parë askënd në sy. Sfidën me një sistem që e ka korrupsionin dhe klientelizmin patologji. Ende sot, një numër i madh njerëzish në nevojë mbeten viktima të recetave qëllimisht më të shtrenjta dhe të adresave të imponuara të farmacive nga mjekë që janë sot përpara një zgjedhjeje shumë të qartë: ose heqin dorë nga kjo praktikë, ose do të largohen nga shërbimi.”

Kryeministri ka shprehur mbështetjen e tij për Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” duke u shprehur se do ta shndërrojë në model të ofrimit të shërbimit shëndetësor për të gjithë spitalet e tjera.

PD: Shëndetësi kaotike
“Në 300 ditë, çdo shërbim është përkeqësuar për shqiptarët”

Por, për Partinë Demokratike, 300 ditët e para të qeverisë përkeqësuan shëndetësinë shqiptare. Deputetja Albana Vokshi tha se ende nuk kemi një shëndetësi falas, siç u premtua, por – sipas saj – në vend është përkeqësuar çdo shërbim. Sipas opozitës, shqiptarët sot paguajnë dhe vuajnë më shumë në dyert e spitaleve.

“Sot nuk kemi shëndetësi falas, por kemi propagandë falas. Kemi shëndetësi të përkeqësuar në çdo drejtim, në çdo shërbim. Biografia e ilaçeve caktohet nga ministri mbi bazë tarafesh dhe interesash. Emërimet në mjekësi kalojnë nëpër zarfe. Sot, drejtorë spitalesh janë bërë mjekë të dënuar më parë për krime apo shpërdorime në detyrë. Sot, farmacitë e kushërinjve kanë mbirë kudo nëpër dyert e spitaleve. Sot, qytetarët e vendit paguajnë shumë më shumë, por edhe vuajnë akoma më shumë nëpër dyert e spitaleve. Kjo pra është e vërteta e shëndetësisë së rilindasit Edi Rama”, tha deputetja Albana Vokshi.

Top Channel