Monako këmbëngul për Icardin

21/07/2014 00:00

Largimi i pritshëm i James Rodriguez drejt Realit të Madridit do të krijojë një boshllëk në vijën sulmuese tek skuadra franceze e Monakos, e cila është vënë menjëherë në lëvizje për gjetjen e një emri që do të zëvendësojë kolumbianin.

Emri i parë në listën e dëshirave të trajnerit të ri të skuadrës franceze, Leonardo Jardim është Mauro Icardi. 21-vjeçari është nën kontratë nga Interi dhe që prej një viti luan për zikaltërit.

Sipas mediave sportive franceze dhe atyre italiane Monako po troket prej javësh në dyert e Interit për të patur shërbimet e talentit argjentinas, por ka hasur vazhdimisht në përgjigjen e prerë “Jo” të drejtuesve interistë.

Të njëjtat burime thonë se zikaltërit nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga asi i tyre, të paktën pa trokitur një ofertë e majme. Monako, nën drejtimin e miliarderit rus Dmitry Rybolovlev ka treguar që është një skuadër që nuk ngurron të bëjë të tilla oferta.

Top Channel