Hetuesi i krimeve të luftës në Kosovë

21/07/2014 00:00

Prokurori kryesor i Task Forcës për Hetime Speciale, Clint Williamson është gati që javën e ardhshme të publikojë raportin që përmban hetimet 3-vjeçare mbi pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty, për krime lufte në Kosovë.

Një javë para se të publikojë raportin, Williamson ka qëndruar të hënën në Prishtinë, ku pa praninë e mediave ka takuar presidenten Atifete Jahjaga si dhe tre ministrat te kabinetit Thaçi, por jo vetë atë.

Gjatë takimeve në Prishtinë, Williamson ka marrë zotimet se institucionet kosovare do të japin mbështetjen e nevojshme dhe do të bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale për krime lufte, që do të krijohet sapo të formohen institucionet e reja.

Përmes një komunikate për shtyp, presidentja kosovare ka thënë se e ka siguruar prokurorin Williamson se Kosova është e vendosur të ballafaqohet me akuzat që pritet të publikohen, në një proces të besueshëm dhe se do të përmbushë detyrimet e saj me përgjegjësi dhe dinjitet, në mënyrë që të përmbyllë këtë kapitull, i cili sipas Jahjagës, do të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Edhe në qeverinë e Kosovës, ku u prit nga ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ai i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, si dhe nga ministri i FSK-së Agim Çeku, Williamson ka marrë garancitë e nevojshme për bashkëpunim në rastet që do të gjykohen.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar përmes një komunikate se takimi i ministrave kosovarë me prokurorin Williamson u realizua me rastin e përfundimit të mandatit të tij si udhëheqës i Task Forcës Speciale Hetuese, detyrë kjo e cila i mbaron me publikimin e raportit gjatë javës së ardhshme me konkluzionet e hetimit. Gjatë takimeve që pati në Kosovë, prokurori evropian u shoqërua nga shefi i EULEX-it Bern Borchardt.

Raporti i Williamson ka të bëjë me raportin e miratuar nga Këshilli i Evropës më 2010 rreth pretendimeve të senatorit zviceran Dicka Marty, që akuzonte se gjatë kohës së luftës mund të ishin kryer edhe trafikime të organeve të serbëve të zënë rob nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, në rastin e njohur si “shtëpia e verdhë”.

Prokurori Williamson pati vizituar Kosovën edhe në mars të këtij viti, në kohën kur po merrej vendimi final për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Top Channel