U nisën me skaf nga Korfuzi drejt Dubrovnikut, dy kroatë pësojnë dëmtime nga kushtet atmosferike dhe transportohen drejt spitalit të Vlorës Në Korçë, kryeministri Edi Rama inspektoi punimet e projektit për rikonstruksionin e një ndër shesheve të qendrës së këtij qyteti, duke nisur atë që shefi i qeverisë e quajti “projektin kombëtar për transformimin urban të qyteteve të vendit”.
“Jemi këtu për të ndjekur fillimin e një projekti të madh kombëtar, që shtrihet në rreth 70 zona urbane të vendit. Një projekt i dedikuar për komunitetet më të mëdha të vendit, që kanë qenë të braktisura për një kohë shumë të gjatë, dhe jemi këtu, po ashtu, për të nisur të mbajmë një nga zotimet tona të rëndësishme, se do të bëjmë për këto komunitete dhe zona urbane të vendit çfarë nuk është bërë 20 vjet me radhë. Duke nisur këtu, në Korçë, një model të qëndrueshëm të një zhvillimi të qëndrueshëm urban, ku vetëm me financimet e këtij viti, ne praktikisht kapërcejmë financimet e një periudhe të gjatë, prej vitesh të tëra, ku ky qytet me një histori të bukur dhe me një trashëgimi të bukur u la tërësisht në harresë dhe mbijetoi vetëm falë fuqisë së idesë dhe këmbënguljes së kryetarit të Bashkisë”, u shpreh kryeministri Rama.
Ndërsa zëvendës/kryeministri Niko Peleshi u ndal në rëndësinë që marrin të tilla projekte.
“Me rikonstruksionin e sheshit të Teatrit shtohet pedonaliteti, pasi ky shesh do t’i bashkohet zonës së bukur pedonale të qytetit të Korçës, hijeshohet qyteti, sepse zemra e qytetit, me komponentin e rikonstruksionit dhe restaurimin e fasadave, merr një vlerë të madhe. Ky nuk është projekti i vetëm, as i Bashkisë së Korçës, por edhe Bashkia e Korçës nuk është e vetmja që po përfiton, po e them pa frikë, një bum investimesh të barabartë me investimet e 20 viteve të fundit në këtë qytet, dhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë”, deklaroi ish-kryetari i Bashkisë Niko Peleshi.
Sotiraq Filo, kryebashkiak i Korçës, i bëri një bilanc të shkurtër finacimeve të projekteve nga qeveria për këtë qytet.
“Është një projekt shumë i rëndësishëm, me vlerë financimi rreth 240 milionë lekë. Janë dy investime të rëndësishme që, së bashku me parkun, bëjnë 5 milionë dollarë, që janë financuar nga qeveria shqiptare. Investime që janë sa 5-fishi i atyre çfarë ne kemi marrë si qytet, në 7 vitet e fundit. Sfida tani është zbatimi cilësor i projektit, çka besoj se do t’ia arrijmë”, tha kryebashkiaku aktual i Korçës Sotiraq Filo.
Top Channel