Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se po flet për histori suksesi të 300 ditëve të para të qeverisjes, por, sipas zëdhënëses Laura Vorpsi, asnjë reklamë, që ai po bën këto ditë, nuk i fsheh largimet nga puna që ka ndërmarrë administrata e tij.

Sipas PD, Rama po bën propaganda boshe me taksat e shqiptarëve.

“As tabelat, as reklamat, as regjia qendrore nuk e ndihmojnë Edi Ramën të fshehë mashtrimet e tij për 300 mijë vende të reja pune, legalizime falas, shëndetësi falas, e dhjetra gënjeshtra të tjera të fushatës së tij. Reklamat që i paguajnë qytetarët shqiptarë nuk krijojnë asnjë vend të ri pune, nuk sjellin asnjë përmirësim, e as mirëqenie. Kjo fushatë irracionale dhe e kushtueshme e Edi Ramës nuk i fsheh dot humbjen e mbi 30 mijë vendeve të punës në këto 300 ditë, përkeqësimin e të gjithë treguesve të rendit dhe sigurisë, rënien e ekonomisë, mungesën e investimeve dhe goditjen e rëndë që ka marrë shpresa dhe besimi tek e ardhmja me Edi Ramën dhe ekipin e tij të propagandës boshe dhe punës zero”, është shprehur zëdhënësja Laura Vorpsi.

Top Channel