PD: Rama vijon të heshtë për Ndokën

19/07/2014 00:00

Opozita vazhdon të akuzojë kryeministrin Rama për heshtje përballë fakteve që konfirmojnë inkrimimin e deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka.

Asnjë kryeministër në Europë, Amerikën Latine por edhe në Afrikë, tha deputeti Genc Pollo, nuk do të mbyllte gojën dhe sytë para veprimeve të tilla, siç ishte dhuna ndaj deputetit Strazimiri nga deputeti socialist, i dënuar me burgim për prostitucion, rrëmbim dhe trafik droge.

“PD publikoi dokumentat për të kaluarën kriminale të Ndokës. Shfrytëzim prostitucioni, rëmbim personi, dënim nga gjykata italiane dhe vuajtje dënimi në burgjet italiane e shqiptare.

Asnjë kryeministër në Evropë nuk do të heshtte siç po hesht Edi Rama. Ai bredh nëpër Shqipëri dhe flet për suksese imagjinare dhe hesht për këto shqetësime që kanë prekur edhe BE-në.

Të prononcohet dhe të thotë çfarë ka ndërmend të bëjë. Të marrë masa ligjore për të shkëputur elementët kriminalë, sepse Ndoka është vetëm një prej tyre”, deklaroi Pollo.

Top Channel