Një udhëzim i përbashkët  mes Ministrisë së Financave dhe asaj të Transporteve ka kaluar nën menaxhimin e Aviacionit Civil Aeroportin e Kukësit.

Ky është hapi i parë në përpjekjet e qeverisë për të vendosur në punë aeroportin e ndërtuar prej vitesh, por i mbetur i bllokuar për shkak të një kontrate mes kompanisë gjermane që menaxhon aeroportin  Rinasit dhe shtetit shqiptar.

Kontrata i garanton ekskluzivitet kompanisë gjermane në menaxhimin e aeroportit ndërkombëtar. Megjithatë duket se pas kësaj, hapi i radhës i qeverisë do të jetë nisja e bisedimeve me palën gjermane për të gjetur një zgjidhje konsensuale.

Burime nga qeveria thonë se propozimi i palës shqiptare do të jetë që kompania gjermane që menaxhon Rinasin të menaxhojë edhe Aeroportin e Kukësit.

Punimet për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit nisën në vitin 2002. Ato përfunduan pak vite më vonë. Aeroporti i ndodhur vetëm 3 kilometra larg qytetit të Kukësit është i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme të kontrollit ajror.

Hapja e këtij aeroporti është kërkuar me ngulm jo vetëm nga pala shqiptare, por edhe nga autoritetet kosovare, pasi do të ndikonte drejtpërdrejtë në zhvillimin e gjithë zonës.

Top Channel