Në Shkup vijoi sërish protesta e shqiptarëve kundër dënimeve me burgim të përjetshëm të bashkëkombasve të tyre për rastin “Monstra”.

Por këtë herë tubimi pati edhe organizatorë, të cilët thanë se, pavarësisht presioneve qeveritare manifestimet do të vazhdojnë.

“Duke pasur parasysh presionet, ju sërish keni dalë të na mbështesni. Ju falenderoj të gjithëve. Ndërkohë, apeloj tek të zotët e dijes dhe gjuhës, të dalin të rreshtohen me ne dhe popullin. Të vihen në shërbim të popullit dhe të mos na lënë të bredhim rrugëve të qytetit”, deklaroi Bedri Ajdari, familjar i njërit prej të dënuarve.

Forcat policore kishin bllokuar edhe këtë herë rrugën e protestuesve. Por marshimit iu bashkuan edhe politikanë. Ata i bënë thirrje të gjithë shqiptarëve që të dalin në protestat e ardhshme.

“Duam të bëjmë një protestë dhe thirrje profesorëve universitarë, sot këtu duhet të jenë prezent të gjithë intelektualët shqiptarë. Nuk duhet të kemi frikë”, deklaroi Zijadin Sela, kryetar i komunës së Strugës.

“Unë jam thellësisht i bindur se në Shkup gjithë shqiptarët do të kthejnë dinjitetin, do mbrojnë të drejtat e tyre dhe interesin kombëtar”, tha pas tij Hysni Shaqiri, ish-deputet në Parlamentin e Maqedonisë.

Protestuesit i bënë rhirrje Avokatit të Popullit që të vizitojë të burgosurit në burgje dhe të njoftojë familjarët e tyre për gjendjen shëndetësore.

Top Channel