Kryesia e Partisë Demokratike e Kosovës, e mbledhur me urgjence pasdite, vendosi që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e seancës konstituive të Kuvendit.

Partia e Hashim Thaçit e  ka dënuar ashpër veprimin e koalicionit opozitar, ndërsa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit e kanë cilësuar si uzurpim të institucionit më të lartë të shtetit.

“Si PDK, këto vendimi i shohim si të kundër ligjshme dhe nuk i njohim. Ky ishte një proces anti-ligjor, anti-kushtetutes. Ne do të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që të japë vendimin përfundimtarë mbi ngjarjet e ndodhura gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Enver Hoxhaj, sekretar i PDK-së.

Nga ana tjetër, deputetët e partive të koalicionit LDK-AAK-NISMA por edhe ata të Vetëvendosjes e kanë konsideruar të ligjshme vazhdimin e seancës pas përmbylljes nga kryesuesja Flora Brovina.

“Grupi parlamentar mendon se të gjitha procedurat që ndjek ashtu siç i parashikon Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Bazë është numri i deputetëve, janë procedurat dhe kjo është ajo që kërkohet në seancë”, u shpreh Armend Zemaj, deputet i LDK.

“Subjektet politike që ishin të pranishme dhe e bënin kuorumin me 82 deputetë proceduan sipas skenarit të përcaktuar të kryesisë, i cili u vendos edhe në pajtim me kryetarët e partive politike”, tha Glauk Konjufca, deputet i VV.

“Duke marrë parasysh që LDK-AAK dhe Nisma janë grupi më i madh parlamentar arritëm që me shumicë dërrmuese të votave të zgjedhim Kryetarin e Kuvendit” tha Donika Kadaj-Bujupi, deputete AAK.

Tani që rasti i konstituimit të Kuvendit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, nuk dihet nëse presidentja e vendit do të nisë me procedurat e formimit të institucioneve qeveritare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA