PD-ja vazhdon akuzat për Ndokën

18/07/2014 00:00

Megjithëse e kontestuan fort si një reformë territoriale të njëanëshme edhe një ditë pas miratimit të variantit përfundimtar të hartës me votën edhe të PDIU-së, demokratët kanë ngurruar të deklarojnë qëndrimin për këtë çështje.

Selia Blu ka vijuar të denoncojë atë që e quan “çështja Ndoka”, por këtë herë përmes Eduard Halimit. Sipas tij, Edi Rama ka zgjedhur të heshtë për atë që emërtoi “dosja kriminale” e deputetit socialist Arben Ndoka, duke u shndërruar bashkëfajtor me të.

“Edi Rama është fajtor pasi me anë të këtyre deputetëve ai godet dhe kërcënon personalitetet e opozitës. Është fajtor pasi për hir të aleancës me krimin po përpiqet çdo ditë të kapë drejtësinë për t’i shërbyer deri në fund deputetëve të tij me të kaluar kriminale. Edi Rama do e marrë dënimin nga qytetarët e vendit për kriminalizimin që i ka bërë dhe po i bën shtetit dhe parlamentit”, theksoi Halimi.

Demokratët kanë përqendruar aksionin opozitar jashtë parlamentit të cilin prej më shumë se një javë e kanë bojkotuar pa afat. Nëse i mbeten këtij vendimi deri në fund të këtij sesioni, ata nuk do të jenë pjesë e diskutimit për projekt-ligje të rëndësishme, si reforma territoriale apo ndryshimet në ligjin për KLD-në.

Top Channel