Obama: Tragjedia e rëndë të hetohet

18/07/2014 00:00

Rrëzimi i avionit malajzian ka sjellë reagime të shumta të ndërkombëtarëve. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama në  një deklaratë për shtyp e ka cilësuar aksidentin ajror si një “tragjedi globale”.

Në një deklaratë, Obama ka deklaruar se avioni është qëlluar nga një sistem raketor i sofistikuar dhe ka theksuar se ky veprim ka shkaktuar një irritim madhor.

“Rrëzimi i avionit malajzian rrëmbeu jetën e shumë pasagjerëve të nacionaliteteve të ndryshme përfshirë këtu dhe të një shtetasi amerikan prandaj në lutemi për shpirtrat e tyre. Të dhënat e deritanishme na çojnë të besojmë se avioni është rrëzuar qëllimnisht nga një raketë e lëshuar prej separatistëve pro–rusë në një zonë që kontrollohej nga vetë ata. Provat janë të dokumentuara se Rusia vazhdonte të furnizonte militantët e saj me ndihma ushtarake dhe armë të rënda për të vazhduar luftimet në Ukrainën Lindore. Në I  bëjmë  thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë”, tha Obama.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi si një dhimbje të papërshkrueshme rrëzimin e avionit si edhe detyrim moral ndaj familjarëve të viktimave,  zbardhjen e ngjarjes tragjike.

Ai ka theksuar se kriza ukrainase nuk do të mbetet më një krizë lokale dhe i ka drejtuar një akuzë direkte presidentit rus Vladimir Putin. “Zoti Putin ka kontrollin e pjesës më të madhe të dhunës në konfliktin në Ukrainë”, ka thënë më tej shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Reagon Moska: Obama, propagandë ofensive

Ndërkohë, Alexander Nekrasov, një ish-këshilltar i Kremlinit, ka akuzuar presidentin Obama se i ka dhënë jetë një “propagande ofensive” kur hetimi mbi tragjedinë nuk ka filluar ende.

Nekrasov ka hedhur poshtë mundësinë që raketën ta kenë qëlluar separatistët pro-rusë, duke ia atribuar veprimin ndonjë njësie “renegate” të ushtrisë ukrainase.

“Sistemi BUK konsiston në katër automjete dhe dy radarë. Duhet të jesh profesionist për ta kontrolluar. Kështu që dyshimet janë që kjo të jetë bërë nga ndonjë njësi renegate e ushtrisë ukrainase, apo nga ndonjë njësi analoge e të ashtuquajturve separatistë”, ka thënë Nekrasov.

Ndërkohë, ekipi i hetuesve të OSBE-së ka mbërritur në vendin e ngjarjes, i kryesuar nga numri dy i misionit të monitorimit, Alexander Hug.

Ndërsa një burim nga OSBE ka thënë për BBC se, ekipi nuk ka pasur akses të plotë në vendin e ngjarjes dhe se pranë saj ka pasur të shtëna, por pa rrezik për hetuesit.


Power: Raketa, nga zonat e separatistëve pro-rusë

Më herët ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, tha përpara Këshillit të Sigurisë në OKB se avioni “Boeing 777” mund të ishte “rrëzuar nga një raketë tokë-ajër, e cila është lëshuar nga një vendndodhje nën kontrollin e separatistëve në Lindje të Ukrainës”.

“Për shkak të kompleksitetit teknik të “SA-11”, është thuajse e pamundur që separatistët ta menaxhonin me efektivitet sistemin, pa pasur ndihmën e një personeli me njohje mbi to. Ndaj, ne nuk mund ta përjashtojmë asistencën teknike nga ndonjë personel rus në operimin e atij sistemi”, tha Power.

Edhe pse Ukraina ka sisteme “SA-11” në inventarin e saj, Uashingtoni nuk ka qenë në dijeni të ekzistencës së këtyre sistemeve në zonën ku u rrëzua avioni gjatë së enjtes, tha më tej Power. Ajo shtoi se ushtria ukrainase nuk ka lëshuar asnjë raketë përgjatë gjithë periudhës së krizës.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për të ushtruar presion mbi hetimet, duke “u përpjekur të paragjykojnë rezultatin e tyre me deklarata të thella dhe insinuata, të cilat janë të pajustifikueshme në një situatë kaq të vështirë”.

Ai tha se duhet të ketë një “hetim të pavarur, të hapur dhe të imtësishëm të asaj se çfarë ndodhi”, dhe se Moska beson që një komision ndërkombëtar duhet të krijohet, nën drejtimin e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të OKB-së.

Churkin pyeti se përse drejtuesit e aviacionit ukrainas e dërguan atë fluturim në “zonën e përplasjeve ushtarake, një zonë e cila ishte përdorur për kryerjen e sulmeve kundër objektivave të civilëve dhe ku sistemet anti-ajrore ishin duke funksionuar”.

“Garantimi i sigurisë dhe përdorimit efektiv të aviacionit civil në një hapësirë ajrore të një shteti është përgjegjësi e atij shteti në përshtatje të plotë me standardet ndërkombëtare”, tha ai. Këshilli i Sigurisë në OKB bëri thirrje gjatë së premtes për një “hetim të plotë, të thellë dhe të pavarur ndërkombëtar” mbi rrëzimin e avionit malajzian, duke nxitur të gjitha palët t’u lejojnë akses hetuesve në vendngjarje.

Top Channel