PD: Rendi i përkeqësuar, krimi sundon

17/07/2014 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha ka vijuar akuzat ndaj qeverisë sa i takon situatës së rendit, e cila sipas tij është përkeqësuar në nivele alarmante.

“Qytetarët janë të rrezikuar e kërcënuar nga hovi i krimit, madje nga statusi i privilegjuar që ka fituar krimi dhe individët me rekorde kriminale me qeverinë Rama-Meta. Për situatën e rendit vlen shprehja popullore: ia kanë varur mëlcitë ujkut në qafë”, deklaroi Basha.

Për zotin Basha, në këtë situatë kanë ndikuar shkarkimet masive të profesionistëve të policisë, si dhe dëshira për të kthyer uniformat blu, siç pohoi ai, në një vegël në duart e pushtetit dhe elementëve të inkriminuar rreth tij.

“Për të qëndruar tek shembujt ilustrues, vjedhjet me dhunë nga 38 janë bërë 279, zbulueshmëria e vrasjeve nga 52 për qind ka rënë në 38 për qind. Këto shifra realizohen vetëm po të kishin premtuar largimin e policisë nga detyra dhe prishjen e rendit në 300 ditë”, theksoi Basha.

Lulëzim Basha theksoi se PD do të vazhdojë të denoncojë kapjen e shtetit nga krimi. “Ne do ngulmojmë pa u tërhequr nga kërkesa jonë për të larguar të inkriminuarit nga strukturat drejtuese qeveritare, parlamentare dhe Policia e Shtetit”, shtoi Basha. Këto deklarata zoti Basha i bëri gjatë një tryeze të organizuar nga Partia Demokratike ku është diskutuar për situatën e sigurisë në vend.

Top Channel