Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, gjatë vizitë së tij zyrtare në Hungari pati takime të rëndësishme me investitorë potencialë të këtij vendi.

Në Agjensinë Hungareze të Investimeve, Ahmetaj u takua me përfaqësues të Grupit Energjetik MVM Ovit, ku tha se Kompania Albpetrol është një nga asetet më të rëndësishme shtetërore,  “të cilën po mendojmë ta japim me “joint venture” ose privatizim”.
 
Ministri Ahmetaj pati takim edhe me përfaqësuesit e kompanisë farmaceutike Gedon Richterz, me të cilët u shpreh se “Shqipëria ofron shumë oportunitete duke qenë një treg në rritje, vetëm vitin e fundit ky treg ka shënuar një rritje prej 10%”.

Më tej, Ahmetaj u prit nga zv/ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë, z. Peter Szijjarto. Biseda u fokusua në disa çështje të rëndësishme si infrastruktura dhe energia, për të cilat ministri u shpreh se kompanitë hungareze duhet të vijnë të investojnë, jo thjesht të interesohen për rastet e tenderave. Rasti i ndërtimit të linjës elektrike Ohër – Elbasan, hidrokarburet, mundësitë që ofrohen në vendin tonë lidhur me zonat ekonomike etj., ishin disa nga fushat me interes dypalësh për investime.

Gjatë pasdites, ministri Ahmetaj zhvilloi takime edhe me përfaqësuesit e OTP Bank, një bankë serioze dhe e mirënjohur, e cila gjithashtu ka shprehur interes për tregun shqiptar.

Top Channel